Editorial - Opinione

Normaliteti, kur të kthejmë respektin për Kushtetutën

               Publikuar në : 21:04 - 11/09/19 M. S

Nga: Ben Andoni

Thirrja e presidentit Ilir Meta para Komisionit Hetimor, ngritur nga parlamenti shqiptar, tregoi problematikën e thellë me të cilën rrethohet jeta e sotme politike shqiptare. Mendimet, sjelljet dhe shprehjet krejt të kundërta, mungesa e konsensusit dhe mbi të gjitha mosrespektimi i Kushtetutës dhe interpretimi me ekuivokë, na ka përcjellë në një situatë, prej të cilës po vuan e gjithë jeta e vendit por më së shumti ekonomia. Presidenti është pjesë e kësaj katrahure me paqartësinë, anësinë dhe sidomos me mungesën e bashkëpunimit.

Duhet kujtuar se deri më tani, Kushtetuta dhe draftet kushtetuese janë miratuar ose refuzuar me referendum (1994 dhe 1998), ku palët politike kryesore kanë pasur qëndrime të kundërta politike, referon studiuesi Krasniqi. Ndërsa duhet cilësuar se gjithë ndryshimet kushtetuese (2007, 2008, 2012, 2016) janë kryer nga dy partitë kryesore, të cilat shpesh me manipulimin që ka përcjellë pastaj në mbështetjen e partive të vogla satelite, ka arritur një konsensus të gjerë politik.

Por deri më sot, asnjë nga ndryshimet nuk ka pasur forcë dhe t’i ketë dhënë impaktin e duhur zhvillimit politik të vendit. Krizat i kanë lënë vend njëra-tjetrës. Ato kanë qenë njësoj të egra dhe të pazgjidhshme. Arsyeja është e mirëkuptueshme dhe ka të bëjë thellësisht me kulturën personale të politikanëve të vendit tonë, angazhimin, pjekurinë e duhur dhe mbi të gjitha arritjen e parametrave të duhura në këtë stad zhvillimi të vendit. Për fat të keq, me formimin e tyre, politikanët e sotëm shqiptarë duket se pak kanë ndryshuar nga paraardhësit e tyre të demokracisë. Kurse Kushtetuta jonë e arnuar frikshëm duket se nuk i përmbush realisht sfidat me të cilat përballet vendi ynë gati drejt Integrimit Evropian apo të ketë të mundur zgjidhjen e krizave. Paçka se është miratuar me referendum, ndryshimet kushtetuese të saj nuk janë përcjellë kurrë në referendum.

Situatën e ka shtrënguar shumë procesi i stërgjatë i Reformës në Drejtësi dhe akuzat e pamoralshme të palëve për mungesën e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese. Mbi të gjitha, sot, funksionon një parlament me gati 20 deputetë më pak, ndërkohë që produktet ligjore të tij vazhdimisht kthehen pas nga presidenti i vendit. “Palët asnjëherë nuk shprehin me saktësi dhe me transparencë shkaqet ligjore, argumentet ligjore se për çfarë, ku dhe përse aktet ligjore ngrihen, rrëzohen dhe rivendosen. Unë jam ndjekës i vëmendshëm i tabulateve ligjore dhe atyre nënligjore, dhe si i tillë, duhet të pranoj që kur një akt ligjor formatohet mund të ketë nevojë për përshtatshmëri kushtetuese në kohë dhe hapësirë, por asnjëherë nuk mund dhe s’ka se si që akti të rrëzohet me motive pa përmbajtje dhe formë. Ndaj ritheksoj që beteja midis institucionit të presidentit dhe Kuvendit mbart mbrapa riformatimin dhe rirreshtimin e faktorëve individual të tyre”, citohet juristi dhe analisti i çështjeve të Drejtësisë Sokol Hazizaj.

Gjithsesi, dy partitë kryesore duhet të jenë të ndershme se me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë bërë një ngatërresë, që zgjedhjet vërtetë caktohen nga presidenti, por organizimi dhe administrimi tyre bëhet nga KQZ-ja, një strukturë e cila nuk është organ kushtetues, por që ka lidhje ngushtësisht me qeverinë. Kjo e bëri KQZ-në të ishte tejet në kah të vështirë në zgjedhjet e fundit, me bojkotin e Opozitës së vendit.

Me pak fjalë, të dy partitë duhet të mbartin përgjegjësinë dhe të mos fshihen më me akuza për njëra-tjetrën. Realiteti i tyre është gjendja e sotme e vendit tonë: Atë që nuk di ta lexojë kryeministri Rama dhe që bën sikur do ta përmirësojë aleati i tij i kësaj zallamahie, Lulzim Basha. Zgjidhja është akoma më e thjeshtë: Duhet kthyer normaliteti në respektimin e Kushtetutës…nga politika shqiptare. (Javanews)

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT