Bota

Njihuni me dinastitë politike kryesore në botë


               Publikuar në : 12:26 - 21/01/20 M S

Kur kryeministri kanadez Xhastin Trudo, djali i ish-kryeministrit Pier Trudo, mori detyrën në vitin 2015, ai ishte fëmija i parë kanadez i një kryeministri që u bë vetë kryeministër. Por në SHBA dhe në mbarë botën, nga demokracitë dhe monarkitë, e deri tek diktaturat, dinastitë politike nuk janë ndonjë gjë e re.

Familja Kenedi në SHBA

Dinastia Kenedi është padyshim më e famshmja në historinë politike të SHBA-së. Familja nga Masaçusets është e famshme për pasurinë dhe suksesin e saj politik (Xhon Kenedi u bë president, vëllai i tij Robert ishte Kryeprokuror dhe kandidat për president, ndërsa vëllai i tyre Eduard ishte senator për një kohë të gjatë), por edhe për një “mallkim” që e ka përndjekur fisin e tyre. Xhon dhe Robert Kenedi u vranë teksa ishin në detyrë. Xhon humbi 2 fëmijë që në vogëli, dhe djali i tij Xhon Jr., vdiq në një aksident ajror në vitin 1999.

Familja Bush në SHBA

Ishte familja më e njohur politike në gjirin e Partisë Republikane. Presot S.Bush ishte anëtari i parë i familjes që u zgjodh senator në vitin 1952. Që atëherë, familja ka prodhuar dy presidentë: Xhorxh H.W.Bush dhe djalin e tij Xhorxh W.Bush, dhe një guvernator dhe kandidat presidencial, Xheb Bush, vëllai i Xhorxh W.Bush.

Familjet Micotaqis, Bakojanis dhe Papandreu në Greqi

Kryeminitri aktual i Greqisë, Kiriakos Micotaqis, është anëtar i njërës prej 3 familjeve më të rëndësishme dinastike politike në Greqi. Babai i tij Konstantinos Micotaqis, ka qenë kryeministër në fillim të viteve 1990. Motra e tij Dora Bakojanis është ish-Ministre e Jashtme dhe ish-kryebashkiake e Athinës. Djali i saj Kostas Bakojanis, u zgjodh në dhjetor 2019 kryetar i bashkisë së kryeqytetit grek.

Familja tjetër e rëndësishme është ajo e themeluesit të Demokracisë së Re, Konstantinos Karamanlis, 4 herë kryeministër i vendit. Nipi i tij, Kostas Karamanlis drejtoi vendin në vitet 2004- 2009. Në të majtën greke, dinastia me e njohur është ajo e familjes Papandreu. Jorgo Papandreu, që pasoi Karamanlisin si kryeministër, ka pasur më herët babain dhe gjyshin në postet më të larta të vendit.

Familja Trudo në Kanada

Kur Kryeministri kanadez Pier Trudo, u takua në vitin 1972 me presidentin amerikan Riçard Nikson, ky i fundit ngriti një dolli për të birin e tij 4-muajsh duke thënë: “Kryeministri i ardhshëm i Kanadasë, Xhastin Pier Trudo!”. Kjo profeci u realizua në vitin 2015. Dy vjet më parë, Xhastin Trudo tha se me shaka në një emision televiziv amerikan, se do të dëshironte të shihte vajzën e tij, Ela Grejs, sot 10-vjeçe, ta pasonte një ditë në postin e kryeministrit.

Familja Kim në Korenë e Veriut

Kur udhëheqësi komunist Kim Il-Sung u ngjit në pushtet në Korenë e Veriut në vitin 1948, kalendari u ndryshua për ta bërë vitin e lindjes së tij si Vitin e Parë. Megjithë vdekjen e tij në vitin 1994, Kim cilësohet konsiderohet si “udhëheqësi i përjetshëm” i Koresë së Veriut. Ai u pasua nga djali i tij Kim Jong-Il, dhe më pas me vdekjen e këtij të fundit në vitin 2011 nga nipi i tij Kim Jong-un.

Shtëpia mbretërore e Sauditëve në Arabi

Kjo dinasti u themelua në vitin 1932 nga Mbreti Abdulaziz ibn Saud, dhe që prej asaj kohe kontrolli i familjes mbi mbretërinë ka qenë i parreshtur. Arabia Saudite është i vetmi vend në botë, ku udhëheqësi emërohet nga një pasardhës i qeverisë në pushtet. Mbreti Abdulaziz kishte 22 gra dhe shumë fëmijë. Djali i tij i madh, Saud, u rrëzua nga i vëllai i tij Faizal, që u ngjit në fron. Që atëherë, 4 djem të tjerë të mbretit Abdulaziz kanë sunduar vendin, përfshirë mbretin aktual, Salman.

Vëllezërit Kastro në Kubë

Fidel Kastro u bë udhëheqës i padiskutueshëm i Kubës, kur Partia Komuniste erdhi në pushtet me revolucionin e vitit 1959. Që nga fillimi, vëllai më i vogël i Kastros, Raul, ishte një nga njerëzit e tij më të besuar. Në vitin 2006, kur udhëheqësi 80-vjeçar iu nënshtrua një operacioni delikat, ai shpalli udhëheqës të përkohshëm Raul të vendit. Ndërkohë nga viti 2008, Raul është president i vendit ishullor.

Familja Lë Pen në Francë

Për dekada të tëra, një familje e vetme ka personifikuar të djathtën franceze. Zhan Mari Lë Pen e themeloi Frontin Kombëtar në vitin 1972, me qëllim “kthimin e Francës francezëve”. Vajza e tij Marin Lë Pen, u fotografua kur ishte fëmijë në shtratin e saj, e rrethuar nga postera me sllogane nacionaliste.

Refuzimi i Holokaustit dhe racizmi i të Lë Penit, e dëmtuan jo pak partinë e tij. Por kur drejtimin e saj e mori e bija Marin në vitin 2011, kjo forcë politike nisi të ringrihej. Fronti Kombëtar mori mbi 30 përqind të votave në zgjedhjet e fundit presidenciale franceze. Marion Marshall Lë Pen, mbesa e Marin Lë Penit, u zgjodh deputete në parlament në vitin 2012 kur ishte vetëm 22-vjeçe.

TIRANA TODAY

 


Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT