Njeriu ka më shumë se sa 5 shqisa, ja se si t’i shfrytëzoni ato në maksimum

Të gjithë e njohim shprehjen “trup i shëndetshëm, mendje e shëndetshme”. Por ajo nuk i referohet vetëm aftësisë fizike dhe forcës së muskujve. Për të pasur një mendje të shëndetshme, ne kemi gjithashtu nevojë për shqisa të shëndetshme.

Fatmirësisht, sot ka një mori provash që ne mund t’i stërvitim shqisat tona të shumta, për të përmirësuar jo vetëm mënyrën se si i përdorim trupat tanë, por edhe mënyrën se si mendojmë dhe sillemi, por edhe se si ndihemi. Modeli i vjetër i Aristotelit me 5 shqisa mund të jetë ende i njohur, por ai nënvlerëson aftësinë tonë të jashtëzakonshme njerëzore për të ndjerë.

Proprioceptimi

Proprioceptimi, ndjesia e vendndodhjes së pjesëve të trupit tonë në një mjedis të caktuar, është injoruar në përgjithësi. Por ai është shumë i rëndësishëm për besimin në përdorimin e trupave tanë. Nëse mbyllni tani sytë dhe e zgjasni njërën këmbë, falë kësaj ndjenje e dini saktësisht se ku është këmba juaj.

Për të vrapuar në natyrë, apo për t’u ushtruar në palestër, për të mos u rrëzuar dhe dëmtuar veten, keni nevojë për një ndjenjë të mirë të orientimit. Stilet tona të jetesës sedentare janë një kërcënim në këtë sens. Por ngjitja në pemë, ecja përgjatë trarëve të ekuilibrit,kalimi nga një gur tek tjetrit, janë mjete përmes së cilave mund ta stërvisni këtë shqisë.

Shqisat vestibulare

Sistemi ynë vestibular na lejon të kuptojmë drejtimin e gravitetit, si dhe lëvizjen horizontale dhe atëvertikale (si në një makinë apo në ashensor). Studimet tregojnë se një sistem i shëndetshëm vestibular është i rëndësishëm jo vetëm për ekuilibrin, por për ndjenjën tonë të të qenit i bazuar në një trup fizik.

Në fakt, njerëzit me probleme vestibulare kanë më shumë të ngjarë të raportojnë përvoja jashtë trupit. Gjithashtu ata kanë më shumë të ngjarë të humbasin rrugën, sepse një sistem i shëndetshëm vestibular është i rëndësishëm për një sens të mirë të drejtimit. Në përgjithësi sa më shumë plakemi, aq më të dobëta bëhen të gjitha reagimet tona vestibulare.

Zbulimi i dritës

Ne e dimë që sytë tanë nuk janë vetëm për të parë. Kur qelizat që shprehin melanopsinë në retinë e syrit ekspozohen ndaj dritës, ato dërgojnë sinjale në “orën”tonë trupore, në hipotalamusin e trurit. Variacione të caktuara në gjenet e kësaj proteine, janë të lidhura me një rrezik në rritje të Çrregullimit Afektiv Sezonal, stimulimin e këtyre receptorëve në mëngjes me nivele të përshtatshme të dritës ndihmon në zhdukjen e humorit të keq.

Lexo edhe :   Jeta e njeriut në Mars: Ja problemet me të cilat do të duhet të përballemi

Për të përmirësuar mirëqenien psikologjike, nuk keni nevojë që t’i trajnoni këta receptorë të punojnë më mirë, por duhet t’i ndihmoni ata të funksionojnë duke dalë jashtë në mëngjes dhe duke shmangur dritat e forta në mbrëmje.

Nuhatja

Kjo shqisë nuk vlerësohet aq sa duhet nga shumë njerëz në kulturat perëndimore. Por një studim mbi disa grupe gjahtarësh, si Jahai, që jetojnë në pyjet tropikale në Malajzi, tregojnë se ne kemi aftësinë biologjike për të nuhatur jashtëzakonisht mirë.

Asifa Maxhid nga Universiteti i Jorku dhe kolegët e saj zbuluan se Jahai i mjaftonte mesatarisht vetëm 2 sekonda për të përshkruar saktësisht një aromë, ndërsa holandezëve iu deshën mesatarisht 13 sekonda për të arritur në një përshkrim shumë më të varfër. Për të zhvilluar nuhatjen, Maxhid rekomandojnë nuhatjen e aromave të ndryshme.

Temperatura

Ne kemi receptorë në lëkurën tonë që regjistrojnë temperaturat brenda intervalit specifik. Në veçanti, nxitja e “sensorëve të ngrohtësisë” ka qenë e lidhur me ndjenjën e të qenit më pak të vetmuar, dhe gjithashtu “më të ngrohtë” ndaj njerëzve të tjerë.

Disa nga rezultatet më të reklamuara në këtë fushë nuk janë përsëritur,çka ka bërë që kritikët t’i vënë ato në dyshim. Por një studim i vitit 2019 në “Social Psychology”sugjeroi se rezultatet mund të ishin të përziera, pasi studiuesit nuk po merrnin parasysh temperaturën e ambientit të jashtëm, apo brenda laboratorit.

Kur morën parasysh këtë faktor,ekipi konfirmoi idenë se të ndjerit fizikisht ftohtë shoqërohet me ndjenjën e “ftohjes”sociale, duke nxitur dëshirën për më shumë kontakte me njerëzit e tjerë. Sigurimi i nxehtësisë (përmes një batanije) mund ta eliminojë këtë efekt.

Ndjesia e brendshme (interoceptimi)

Rreth 10 për qind e njerëzve janë vërtetë të aftë në të ndjerit e rrahjeve të zemrës dhe për të kontrolluar pulsin. 5-10 për qind janë shumë dobët në këtë aspekt, dhe pjesa tjetër renditet diku midis të dyjave.

Studimet tregojnë se njerëzit që janë më të aftë në të ashtuquajturin “përgjim kardiak” përjetojnë emocione më intensive dhe më të nuancuara,ndërsa janë më të aftë në njohjen e emocioneve të njerëzve të tjerë, që është hapi i parë jetik sa i përket ndjeshmërisë.  Ndërkohë,njerëzit që nuk i përjetojnë emocionet në mënyrën tipike (një gjendje e quajtur “aleksitimia”, që mendohet se prek deri në 10 për qind të njerëzve, vuajnë nga dëmtime në ndjeshmërinë e brendshme.

Burimi i lajmit: https://digest.bps.org.uk/2021/04/01/we-have-many-more-than-five-senses-heres-how-to-make-the-most-of-them/

Përshtatur nga TIRANA TODAY