Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një reagim për mjekun Hysni Shkjau, i cili humbi jetën si pasojë e COVID-19.
69-vjeçari po luftonte prej disa ditësh me koronavirusin në Spitalin Infektiv, dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese.
Ministrja shkruan në një postim në Facebook, se ndarja nga jeta e mjekut është një dhimbje e madhe për familjen, kolegët, për banorët e zonës së Pukës, ku shërbeu për 40 vite me përkushtim e profesionalizëm.
Statusi
Më trishtoi pa masë lajmi për ndarjen nga jeta këtë mëngjes e dr. Hysni Shkjaut, mjekut të përkushtuar, që shërbeu pa u lodhur dhe nuk u nda për asnjë ditë nga banorët e komunitetit në zonën e Qafë-Malit në Pukë!
Ndarja nga jeta e dr. Hysniut është një dhimbje e madhe për të gjithë ne, për familjen, për kolegët, për banorët e zonës së Pukës, ku shërbeu për 40 vite me përkushtim e profesionalizëm.
Dr. Hysniu nuk mundi ta fitonte betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e mjekëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në spitalin infektiv.
Ngushëllime të sinqerta familjes dhe kolegëve! U prehsh në paqe doktor Hysniu!