Azdren Llullakut më në fund ka finalizuar kalimin e tij në kampionatin italian. Ka qenë si një dhuratë për 30-vjetorin e sulmuesit të kombëtares shqiptare, pasi ditën e sotmë është prezantuar si blerja më e re e ekipit italian, Virtus Entella.
Klubi i Serisë B italiane njoftoi edhe zyrtarisht afrimin e lojtarit të lindur në Istog, vetëm pak ditë pas arritjes së akordit. Llullaku që do të mbajë numrin 18 në fanellë, kthehet të luajë përtej Adriatikut, pas eksperiencës së pafat në Kazakistan. Më pas kishte disa lëvizje brenda sezonit dhe lojtari nuk arriti të bindë asnjërin nga ekipet. Ndërsa gjatë janarit u bashkua me Ordabasy, ku kreu edhe fazën përgatitore dhe arriti të zhvillojë dy miqësore, por në fund nuk u formalizua marrëveshja.
Llullaku iu bashkua Virtus Entella-s pavarësisht mbylljes së afatit të transferimeve, duke përfituar nga rregulli i transferimeve të futbollistëve pa skuadër. Ajo që bindi klubin që lufton për mbijetesën ishte paraqitja e edicionit të kaluar e sulmuesit, që u shpall golashënuesi më i mirë i Ligës së Parë rumune me 16 gola në 20 ndeshje për Gaz Metanin.
Sulmuesi i bashkohet Naser Alijit, shokut në përfaqësueses kuqezi, i cili u transferua gjatë merkatos së dimrit, pasi në pjesën e parë të këtij sezoni ishte pa ekip. Me dy shqiptarët në kontingjent, klubi nga Liguria shpreson të realizojë objektivin e këtij sezoni, që është qëndrimi në Serinë B italiane.