Një tjetër humbje e madhe, ndahet nga jeta aktori i njohur shqiptar

Një tjetër lajm i hidhur për artin shqiptar. Aktori i njohur i Teatrit Kombëtar, Xhemil Tagani është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare.

Tagani kreu shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu”, në 1967. Pas diplomimit, filloi punë si aktor pranë Teatrit Popullor, më 1968.

Ka interpretuar mbi 70 role në teatër, kryesisht nga dramaturgjia kombëtare, ku si më të arrirët përmenden: Agroni te “Shokët”, Alqi te “Studentja e vitit të fundit”, Tushka te “Një nuse për Stasin”, Uçi te “I pazvëndësueshmi”, Selimi te “Bashkë me Agimin”, Ina te “Arturo Ui”, Peç Mbloçi te “Lumi i vdekur”, Reizi te “Duke u gëdhirë viti 1945”, Samiu te “Kështu të dua”, Thomai te “Nën dritat e skenës”, te “Kryqi i bardhë”, etj.

Ka interpretuar edhe në disa filma artistikë. Pas vitit 1992 u shkëput nga teatri, duke e mbyllur karrierën e tij mbi tre dekada në skenën e Teatrit Popullor.