E diel, 20 Qershor, 2021
18.5 C
Tirana

Një shans i artë për PD-në

Nga: Blendi Kajsiu

Ekziston një pesimizëm dhe dëshpërim i prekshëm mbi fatin e partisë kryesore opozitare në Shqipëri. Brenda PD-së, fatalizmi, sikurse vëren Bujar Nishani, është në rritje.

Jashtë PD-së, analistët i tremben dobësimit të opozitës përballë një pushteti gjithnjë e më të fuqishëm. Janë shqetësime sa të drejta, aq edhe të kuptueshme…

Pas kaq shumë humbjeve duket sikur PD-ja është e destinuar të mbetet në opozitë. Nga ana tjetër, deklarimi i Berishës person “non-grata” nga SHBA-të e dobëson edhe më tej pozicionin e opozitës përballë qeverisë Rama. Ndaj është e kuptueshme se përse analistë seriozë si Bushati janë pesimistë për demokracinë tonë të brishtë përballë një “superpushteti” të Ramës.

Pesimizmi, dëshpërimi dhe zhgënjimi janë pjesë e identitetit tonë kombëtar. Ndaj, sadopak optimizëm apo pozitivitet lexohet në rastin më të mirë si lajthitje, ose në rastin më të keq si tradhti. E megjithatë pesimizmi aktual mbi PD-në po na verbon ndaj shansit të artë që ofron kriza aktuale për reformimin dhe revitalizim e saj, në mënyrë që nesër të transformohet në një alternativë reale ndaj qeverisjes Rama.

Si humbja e Bashës në zgjedhjet e 25 prillit, edhe shpallja e Berishës persona non grata nga SHBA-të kanë krijuar për herë të parë mundësinë e një PD-jë postberishiste, që do të thotë më të hapur ndaj debatit dhe shoqërisë, më autokritike dhe më demokratike.

Natyrisht, skeptikët me të drejtë do drejtojnë gishtin te paçavurja zgjedhore e Bashës që rikandidon si kryetar pa marrë mundimin të dorëhiqet, pa përmendur listat sekrete. Është një proces që sipas vetë standardeve të Bashës do duhej të klasifikohej si gjenocid elektoral.

E megjithatë është hera e parë në pothuajse 20 vite që, pavarësisht manipulimit skandaloz të Bashës, në PD ka garë dhe debat real. Ka kandidatë me integritet si Kadilli dhe Shehaj që nuk janë kukulla të Berishës. Për herë të parë po bëhet një analizë kritike e PD-së, e arsyeve reale të humbjes së saj, përtej denoncimeve tradicionale.

Për herë të parë pas kaq shumë vitesh po artikulohet teza, e zhvilluar nga Bardh Kadilli në manifestin e tij politik, se PD-ja është më shumë se kryetari. Një kritikë e berishizmit që në mënyrë bolshevike e reduktoi partinë në përmasat e liderit, duke e kthyer pothuajse në pronë private. Madje, Kadilli guxoi të deklaronte që në përballjen e tij me SHBA-të, Berisha nuk duhet të përfshinte PD-në, dhe bashkë me Shehajn theksoi rëndësinë e një qëndrimi pro amerikan të PD-së.

Këto janë qëndrime revolucionare në një parti ku tabuja e “liderit historik” ishte absolute. Në këtë aspekt, si humbja e 25 prillit, edhe shpallja e Berishës “non grata” nuk janë vetëm goditje, por edhe një dorë e shtrirë që PD-ja të dalë nga gropa ku ka rënë politikisht dhe shoqërisht. Janë një shans i artë që PD-ja të përballet në mënyrë të sinqertë me të kaluarën dhe të kuptojë se mund të jetë shumë më e madhe se lideri i radhës.

Përballja e sinqertë me të kaluarën nuk nënkupton thjesht distancimin me Berishën, por mbi të gjitha rivlerësimin kritik të qeverisjes së tij, me të mirat dhe problemet e saj. Pa u përballur me seriozitet me të kaluarën nuk mund të krijosh besim tek e ardhmja.

Nuk ishin të pakta anët pozitive të qeverisjes së PD-së që në vitin 2005 erdhi në pushtet pasi u hap me shoqërinë dhe me një frymë reale antikorrupsion, luftoi vendosmërisht krimin e organizuar dhe bandat, sidomos gjatë qeverisjes së parë. Gjithashtu, pati progres real në përmirësimin e infrastrukturës kombëtare dhe integrimin euroatlantik.

E megjithatë, shumë nga standardet që vendosën qeveritë Berisha dhe Berisha – Meta janë aq të ulwta saqë Rama i kalon ato me sy mbyllur. Gërdeci, vrasjet e protestuesve të 21 janarit, korrupsioni me zë e figurë i Metës, sulmet agresive dhe të rrezikshëm të qeverisë Berisha ndaj gazetarëve kritikë si Mero Baze apo Andi Bushati, sulmet seksiste ndaj Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, e ulën në mënyrë të frikshme standardin politik që duhet të përmbushë një qeveri për të mbetur në pushtet.

Lexo edhe :   Ne, e keqja e pashmangshme dhe krahasimi me Palermon?

Sot, për të treguar superioritetin e tij ndaj PD-së, Rama mjafton të mos sulmojë publikisht apo t’i djegë makinën Bushatit apo Lubonjës, të mos denoncojë si kurvar bulevardi Prokurorin e Përgjithshëm, të mos kapet me zë e figurë duke vjedhur si Meta, të mos hedhë në erë shtëpi dhe qytetarë si pasojë e korrupsionit familjar, dhe të mos vrasë protestues në shesh. Të gjitha këto Rama i bën me duar në xhepa.

Lexo edhe :   Ne, e keqja e pashmangshme dhe krahasimi me Palermon?

Nuk po hy këtu në debatin nëse për median e lirë është me e rëndë injorimi dhe kapja që i bën Rama apo goditja që i bënte Berisha. Ka shumë mundësi që e para të jetë më problematike. Ama, për elektoratin në përgjithësi analizat e stërholluara mbi kapjen mediatike dhe ekonomike që bëjmë ne analistët kanë shumë më pak peshë se shpërthimet korruptive që vrasin njerëz, se goditjet publike ndaj gazetarëve, ndaj sistemit të drejtësisë apo vrasjet në shesh të protestuesve. Pa folur për vrasjen e aktivistëve politikë të PS-së në fushatë.

Tejkalimi i Berishizmit nënkupton distancimin publik nga të gjitha fenomenet e mësipërme. Vetëm në këtë mënyrë opozita mund të krijojë një standard të ri politik në sytë e elektoratit që qeverisja Rama nuk e kalon dot.

Për këtë qëllim është e domosdoshme edhe analiza kritike e aleancës së PD-së me LSI-në që shënoi kalimin nga politika e frymës te politika e koniunkturës. Në 2005, PD erdhi në pushtet me frymën antikorrupsion, por e mbajti pushtetin në 2009 nëpërmjet një lëvizje koniunkturale që ishte aleanca e pështirë me LSI-në.

Kjo aleancë ishte dorëzimi final dhe publik i qeverisjes Berisha përballë korrupsionit. Ndaj ajo e la pa frymë PDnë, duke i siguruar 4 vitet pushtet dhe 12 vite opozitë. Një aleancë që në vend ta denonconte, Basha e konsolidoi.

Në këtë aspekt duhen parë me dyshim analizat e shumta që pretendojnë se PD-ja do mund të vinte në pushtet nga një shkrirje apo bashkim listash me LSI-në. Një tezë që bazohet mbi premisën se politika është matematikë ku 2 + 2 = 4. Nuk është vendi këtu për të debatuar përkufizimet pafund të politikës, por mjafton të themi që në politikë shpesh 2+2 mund të bëjnë edhe 5 edhe 3.

Kështu, nëse PD dhe PS kanë 6 dhe 7 vota respektivisht, kjo nuk do të thotë se nëse dalin në koalicion PD-PS do marrin 13. Ka shumë mundësi që të marrin vetëm 10 vota, sepse një koalicion i tillë do shkaktonte mjaft zhgënjim, si brenda, edhe jashtë dy kampeve, tek elektorati gri. Për të njëjtat arsye, një bashkim apo shkrirje e PD-së me LSI-në, në vend që ta zmadhonte, mund ta zvogëlonte elektoratin e tyre të përbashkët.

Në këtë pikë, pesimistët me të drejtë mund të argumentojnë se reduktimi i fushatës elektorale deri më 13 qershor dhe fitorja pothuajse e sigurt e Bashës do t’i vërë kapakun futjes së PD-së në periudhën postberishiste dhe analizës kritike. Dhe natyrisht ekziston mundësia që Basha ta reduktojë PD-në te përmasat e tij, që do të zvogëlohen edhe më tej pas zgjedhjeve të 13 qershorit.

E megjithatë ka shumë mundësi që fitorja e Bashës më 13 qershor të jetë një fitore pirrike që e dobëson atë teksa forcon kundërshtarët e tij. Ndaj nuk është lajthitje të shpresosh që edhe pse e programuar si një datë që synon t’i vërë kapakun analizës kritike dhe debatit, 13 qershori të shënojë, në fakt, fillimin e rilindjes demokratike në PD.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

OBSH e shpall të përfunduar shpërthimin e Ebolës në Afrikën Perëndimore

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se shpërthimi i virusit të Ebolës, që nisi në shkurt në Guinea, ka përfunduar. Ky virus vdekjeprurës, që përcillet...

Levandovski mban gjallë shpresat e Polonisë, Spanja komplikon kualifikimin

Përfundon ndeshja e grupit C, ku Spanja ka komplikuar kualifikimin, pasi Polonia i ka surprizuar, duke i rrëmbyer një pikë. Sfida u mbyll në...

Gjermani, gjenden dy piktura të shekullit XVII në një kosh plehrash

Policia gjermane po kërkon për informacion për dy piktura origjinale nga artistë evropianë të shekullit të 17, të cilat përfunduan në një kosh plehrash...

Kapacitetet e Kosovës për vaksinim në masë të popullsisë kundër COVID-19

Në Kosovë gjatë kësaj jave filloj vaksinimi në masë i qytetarëve kundër COVID-19, me synimin që të vaksinohen deri 320 qytetarë në muaj. Zyrtarë...

Mbi 1 milion vaksina/ Mbërrijnë në Rinas edhe 50 mijë doza të Coronavac

Mbrëmjen e sotme, kanë mbërritur në aeroportin ''Nënë Tereza'', 50 mijë doza të vaksinës kineze Coronavac. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi...