E hënë, 20 Shtator, 2021
28.5 C
Tirana

Një pasuri e vogël që provokon dhe turpëron të mëdhatë e paligjshme

Nga Preç Zogaj

Agjencia kundër Korrupsionit në Kosovë publikoi para pak kohësh deklaratën e pasurisë së Kryeministrit Albin Kurti për vitin 2020. Gjithsej 529 euro e 26 cent kursime në llogarinë e tij bankare. Kaq!

Ligji e detyron Kryeministrin të deklarojë të ardhurat e pjesëtarëve të familjes gjithashtu. Bashkëshortja norvegjeze e zotit Kurti ka 10 mijë euro në bankën DNB në Norvegji. Ajo vazhdon të shlyejë një kredi prej 300 mijë eurosh për blerjen e apartamentit në Oslo. Paga e saj mujore në Norvegji është 3 mijë e 915 euro. Kurti ka një banesë me qira në Prishtinë, për të cilën paguan 250 euro në muaj. Paga e tij mujore neto është 1305 euro.

Kjo është në përmbledhje gjithë çfarë ka familja e Kryeministrit të Kosovës. Pasuri tipike e një burri dhe gruaje në hapat e parë të jetës në çift, shumë-shumë larg asaj që mund të përfytyrojmë për katandinë e një familjeje kryeministrore. Siç shihet, peshorja e kontributeve në pasurinë e tyre modeste anon dukshëm nga gruaja norvegjeze, e cila ka shfrytëzuar mundësitë që i jep vendi dhe rroga e mirë për të marrë një kredi të konsiderueshme. Kurti praktikisht nuk ka asgjë. Kursimet e tij në bankë vlejnë sa për të mbajtur hapur numrin e llogarisë. Natyrisht, edhe për të replikuar pa fjalë, me një kundërfakt të skajshëm, klishenë-akuzë që i konsideron politikanët e lartë milionerë e miliarderë falë posteve politike. Shumica po, ashtu janë. Por jo të gjithë. Ka përjashtime- kjo është replika.

Pasuria e Kurtit, unikale për një Kryeministër në planet, së cilës fjala pasuri i rri si shallvare për të qeshur, provokon dhe turpëron vetvetiu pasurinë e stërmadhe të vënë me korrupsion dhe abuzime me pushtetin të çdo zyrtari dhe ish-zyrtari të mesëm e të lartë në Shqipëri e Kosovë. Këta skërmiten, zbardhin dhëmbët, nënqeshin, madje edhe gajasen me pasurinë e Kryeministrit të Kosovës. Disa nuk e besojnë. “S’ka mundësi të jetë kaq fakir? S’mund të mbante me kacidhe për dy dekada e më shumë lidershipin e një partie si Vetëvendosja, sot partia e parë në Kosovë! S’mund të fitonte pa pasur nëpër duar e në zotërim shuma të majme, një pjesë e së cilës do të pikonte vetë- ku s’rrjedh pikon!- në xhepat e tij pa i hyrë në hak njeriu! Prej këtu edhe “konkluzioni” i nënkuptuar: Kurti deklarohet fukara për t’u dukur. Ashtu i intereson. Por ai nuk tregon të vërtetën.

Disa të tjerë besojnë se ai nuk ka fshehur gjë, por tallen e thonë për të një shprehje të ngjashme me atë të Stendalit për të ndershmin për dyzet vjet me radhë, zotin Lafajet. “Tre të katërtat e Parisit do ta admironin zotin Lafajet po të kishte vjedhur katër milionë”. Në këtë pikë, tallësit tanë referojnë një standard tjetër shqiptar që nderon më shumë kriminelin dhe hajdutin se intelektualin e të ndershmin.

Mund të ketë edhe që skuqen e nxihen kur krahasojnë pesëqind e njëzet e nëntë eurot e Kurtit me miliardat e tyre të paligjshme, fshehur në llogari bankare sekrete, në offshore, në pasuri të patundshme me emra të tjerë, në dyshekë pse jo. Ankthi se mund të zbulohen ndërsa nuk dinë çfarë të bëjnë me malet e parave të vjedhura, i bën t’ia kenë zili tjetrit qetësinë e një pasurie sa për të jetuar.

Por t’i lëmë mënjanë hamendjet dhe komentet kësisoj. Të merremi me thelbin e çështjes. Kurti i ka ngjitur shkallët e karrierës dhe suksesit duke përdorur kryesisht kartën e ndershmërisë dhe të të pakorruptuarit. Kartë, e cila është nulë nga pikëpamja elektorale në vendet demokratike ku sundon ligji, por peshon në vendet ku korrupsioni është ngritur në sistem. Personalisht jam skeptik, madje kam një aversion, të themi letrar, për të vetëpagëzuarit “të pakorruptueshëm”, që e shesin pakorruptueshmërinë si premtim populist. Një kampion i të pakorruptuarit në retorikë ka qenë Robespieri, mbreti i gijotinës në revolucionin francez, viktimë e së cilës u bë pastaj edhe vetë. Stalini ia kalon ku e ku. Enver Hoxha gjithashtu. Diktatorët e çdo krahu kanë tundur flamurin e virtytit, pastërtisë, pakorruptueshmërisë. Por ata kanë qenë të korruptuar deri në palcë, mbi të gjitha si vrasës, si tiranë, që është forma më e rëndë e dehjes shelbuese prej pushtetit. Thënë ndrydhe, e korruptimit prej pushtetit. Në parim, “pakorruptueshmëria” dhe mizoria kanë qenë anë të së njëjtës medaljeje. Natyrisht, konteksti politik dhe shoqëror ku vepron Kurti dhe kryeministrat e sotëm në vendet e hapura është tjetër. Këta nuk kanë mundësi të ngrënë gijotina, të vrasim për fjalën e lirë apo të ndërtojnë kulakë.

Por për të bërë pasuri përmes korrupsionit, po. Shumë prej tyre janë pasuruar e vazhdojnë të pasurohen përmes abuzimit të shfrenuar me pushtetin që kanë. Korrupsioni i zyrtarëve të lartë e ka diskretituar si kurrë ndonjëherë politikën, duke e treguar si një profesion, hyrja në të cilën nxitet vetëm nga një motiv: pasurimi për vete. Bërja korrupsion duke sulmuar korrupsionin. Si “zgjidhjen” numër një të antitkorrupsionit në Kosovë, Albin Kurti ka treguar veten e tij, duke e mishëruar atë di persona. Pa e paragjykuar, kjo qasje i kufizon mundësitë e ndryshimit pozitiv. Korrupsioni luftohet pikësëpari me ligje të mira që zbatohen, me drejtësi të pavarur dhe efikase. Sidoqoftë, shembulli personal ka pasur e vijon të ketë rëndësi të madhe. Një lider i ndershëm nuk mund të rrethohet nga ministra dhe zyrtarë të korruptuar. Korrupsioni i ministrave padit korrupsionin “me duar të pastra” të Kryeministrit. Kjo është aksiomatike.

Kurti ka deklaruar pasurinë e vitit 2020. Gjatë atij viti, ai ka qenë Kryeministër për një periudhë shumë të shkurtër: nga fillimi i shkurtit deri në 25 mars. Pra, pasuria e tij nuk është në thelb pasuria e një Kryeministri që qëndron për një periudhë të konsiderueshme në atë detyrë. Shumëkush mund të thotë arsyeshëm se duhet të presim deklaratën e tij të pasurisë për vitin 2021. Gjithçka mund të ndodhë. Në mos pas një viti, pas dy, tre apo katër vitesh, nëse Kurti do të vazhdojë të drejtojë qeverinë e Kosovës. Pushteti korrupton. Pushteti absolut edhe më shumë. Kjo sentencë e shumëcituar e lordit Akton, vërtetuar sa e sa herë në histori, vijon të jetë aktuale sot e gjithë ditën në mjaft vende të botës. Nga kjo pikëpamje ndershmëria e deritanishme e Albin Kurtit është gjithnjë nën “kërcënimin” e pushtetit të tij.

Thënë këto, gjithçka që lidhet me pasurinë e tij vetjake tepër modeste sot dhe me kostot e politikës së tij si lider i Vetëvendosjes ndër vite, meriton të analizohet si dukuri politike me domethënie të madhe në realitetin politik shqiptar në të dy anët e kufirit. Para se të them një opinion timin për këtë, dua të pohoj se e çmoj shumë pasurinë e ligjshme, qoftë të atyre që hyjnë në politikë si njerëz të pasur, qoftë të atyre që e shtojnë pasurinë gjatë kohës që merren me politikë pa shkelur asnjë ligj, brenda kufijve gjithsesi të limituar të profesionit. Midis dikujt që hyn i pasur në politikë dhe një tjetri që hyn me duart në xhepa, është më mirë i pari. Për arsyen e thjeshtë: pasuria e ligjshme, që nuk është e gjitha trashëgimi, tregon zotësinë e personit që e ka vënë.

Të kthehemi te Kurti. Ai ka udhëhequr rritjen e lëvizjes Vetëvendosja. Ka qenë deputet i saj në Kuvendin e Kosovës. Vetëvendosja ka pasur pushtet në njësi vendore me peshë në Kosovë, gjë që sërish “po nuk rrodhi, pikon” në pasurinë e liderëve politikë, sipas asaj që shohim në Shqipëri. Nga kjo pikëpamje nuk do të ishte aspak e çuditshme që Kurti të kishte më shumë. Mund të kishte edhe ai sarajet e tij të justifikuara, kontot e tij. Kurti ka pasur kohën dhe pikëtakimet e mjaftueshme me pushtetin për t’u bërë si zyrtarët emblematikë që stigmatizon Ali Asllani në satirën e tij të njohur: “Të pabrekë ju gjeti dreka/ milionerë ju gjeti darka”.

Ai duket se ka kaluar indiferent dhe i patunduar përskaj joshjeve e sirenave të parasë, dhuratave. Siç bëjnë zakonisht politikanët e motivuar nga kredoja për të shërbyer diçka të rëndësishme për vendin dhe njerëzit e vendit të tyre, gjë që mbetet e vetmja arsye e shëndoshë e angazhimit në politikë. Ka shumë gjasa që zgjedhësit në Kosovë ta kenë votuar në shumicë Kurtin jo për atë që ai premton të bëjë kundër korrupsionit, por për atë që ka qenë e është deri tani në këtë aspekt.

Në koherencë me distancën pozitive ndaj pasurimit si qëllim në vetvete, ai me bashkëpunëtorët e tij ia kanë dalë të ndërtojnë një lëvizje politike dhe ta hedhin në beteja elektorale fitimtare me pak shpenzime, me pak lekë, siç e themi në Shqipëri. Vite më parë kemi pas dëgjuar se fondet e fushatës së Vetëvendosjes ishin paratë e siguruara nga shitja e një apartamenti, pronë e kryetarit. Ky lajm tepër përshtypjelënës ka tingëlluar i pabesueshëm në Shqipëri, ku partitë që nuk kanë shumë-shumë lekë, nuk ngrihen, nuk rriten, nuk bëhen faktorë politikë. Qëkurse është bërë forcë parlamentare, Vetëvendosja merr pjesën e vet të financimeve nga buxheti i shtetit. Por sërish shpenzon me masë, ma merr mendja, ashtu siç i shkon traditës së saj dhe vetë Kosovës. Nuk kemi dëgjuar për shpenzime të ekzagjeruara nga ana e saj. Nëse do të krahasonim shpenzimet elektorale të saj si parti e parë në Kosovë me shpenzimet elektorale legale dhe në të zezë të partisë së parë në Shqipëri, diferenca do të ishte humnerore në favor të PS-së së Shqipërisë.

Shpenzimet e stërmëdha të partive kryesore qeveritare shqiptare, të paligjshme në pjesën me të madhe, kanë ecur paralelisht me rritjen galopante të korrupsionit në vend nga një legjislaturë në tjetrën. Zgjedhjet e fundit të 25 prillit kanë shënuar një rekord të ri të çmimit të politikës me burime të paligjshme. Lumi i parave të pista e ka degraduar e paralizuar politikën në Shqipëri. Në këtë pikë, shembulli i Vetëvendosjes tregon se korrupsioni në Kosovë nuk është bërë ende një mjet i degjenerimit të jetës politike e publike sa të mos lejojë rritjen e alternativave, frymëmarrjen dhe vlerën e programeve. Konkurrohet me fjalë, me programe. Shqipëria mund të hyjë në këtë hulli vetëm nëse drejtësia e re me mbështetje amerikane dhe europiane e çon ligjin në sferat e larta.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Serbët bllokojnë rrugën, pas vendimit të Kosovës për reciprocitetin e targave

Mëngjesin e sotëm, në pikat kufitare policia e Kosovës u ka hequr targat të gjitha makinave nga Serbia, dhe i ka pajisur me targa...

Reciprociteti i targave/Kurti: S’ka për qëllim destabilizimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur nga Kuvendi për reciprocitetin e vendosur për targat e automjeteve. Gjatë seancës së sotme parlamentare, Kurti theksoi...

Shërbimet sekrete zbulojnë planin/ Parandalohet ekzekutimi i Zoran Zaev

Shërbimet sekrete greke dhe qeveria parandaluan një atentat ndaj kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, disa muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës...

Në politikën gjermane nuk përfaqësohen sa duhet migrantët

"What's your Heimat?" - cili është atdheu juaj u pyet W. Michael Blumental, drejtori që themeloi Muzeun Hebre në Berlin në vitin 2014. Për...

Pse berishizmi, është enverizimi i ri shqiptar

Nga: Mero Baze Kjo që po i ndodh Partisë Demokratike, Partisë së Punës, ka filluar ti ndodh në vitin 1991. Kur ajo filloi të reformohej...