E diel, 28 Nëntor, 2021
13.5 C
Tirana

Një mrekulli arti nga Yllka Mujo

Nga: Preç Zogaj

Në Teatrin Metropol të Tiranës po shfaqet këto ditë vepra teatrale “Oh, ato ditë të bukura” e shkrimtarit nobelist Samuel Beket, vënë në skenë nga regjisori i mirënjohur, Arben Kumbaro.

Kjo monodramë me dy pjesë më mbajti të mbërthyer në përjetimin e plotë të rrjedhës së saj nga fillimi në fund, më dhuroi shumë emocione, më trazoi, më bëri për të qeshur, më preku thellë sidomos në finalen e saj, nuk përfundoi me rënien e perdes, por vazhdoi si një pjesë e tretë në përimtimet e mia gjatë rrugës së kthimit në shtëpi. Emil Cioran, një shkrimtar dhe eseist i shquar franko-rumun, përdorte si kriter të vlerësimit të një libri krahasimin e gjendjes shpirtërore dhe psikofizike të lexuesit para dhe pas leximit. Nëse gjendja pas leximit është po ajo e para leximit, libri nuk ka vlerë, thoshte ai. Në të kundërtën, nëse leximi i librit e lëviz, e trondit dhe e përmbys gjendjen e fillimit, ai është një arritje. Ky kriter mund të përdoret edhe për të vlerësuar një shfaqje teatrale apo film. Nga kjo pikëpamje mund të them me bindje se “Oh, ato ditë të bukura” është më shumë se një shfaqje e suksesshme. Është një ngjarje artistike e cilësisë së lartë, një oaz i shkëlqimit të artit, jo i vetmi sigurisht, që kontraston pa zhurmë modën e tallavave, banalitetit, lakmive denatyruese e vrastare që i japin tonin për fat të keq jetës në kryeqytet dhe në mbarë vendin.

Çfarë e bën të tillë shfaqjen “Oh, ato ditë të bukura”?

Teksti i Beketit? Regjia? Loja e aktorëve? Për faktin se është kryesisht një monodramë, më saktë një monodramë e pak, duke qenë se përveç personazhit të vetëm, ka edhe një figurant që merr pjesë aty-këtu me gjysma fjalësh, teksti i veprës merr një rëndësi të shtuar. Beketi e ka shkruar me mjeshtëri të lartë. E ka ndërtuar nga i njëjti brumë i veprave të tij me të mira, ku realja dhe metafora, kumti i drejtpërdrejtë dhe alegoria, e vërteta jetësore dhe ironikja ndërthuren e ndërkëmbëzën në dyzimin që krijon absurdin. Në tërësinë e saj, “Oh ato ditë të bukura” është një jetë e dendësuar në një monolog që zgjat pak më shumë se një orë, një sintezë nostalgjike plot me spërkatje ironike e jetës së një gruaje të kultivuar rreth të pesëdhjetave, një eulogji e saj për vitet dhe ditët e jetuara, një hulumtim i pambaruar në kuptimet që na rrëshqasin, një kantatë për çdo ditë të re që lind, të gjitha këto veshur me episode dhe detaje që evokojnë larminë e thyerjeve dhe gjendjeve ku ka kaluar jeta e saj dhe e partnerit të saj të dorëzuar në moskuptim dhe letargji.

Regjia ngjan të jetë e padukshme sipas kuptimit që kemi për rolin e regjisorit në dramat me subjekte klasike, me shumë skena e personazhe. Por në një shfaqje me një aktore të vetme dhe një figurant, siç është “Oh, ato ditë të bukura”, sensi i masës dhe detajet e kursyera artistike transmetojnë një koncept regjisorial adekuat me veçantitë, peshëmbajtjen dhe mesazhin e veprës. Regjisori zgjedh vetë të jetë diskret dhe i kursyer. Regjisori Arben Kumbaro ka dëshmuar edhe më parë se ka sintoni me artin dhe filozofinë e Beketit si dramaturg. Para disa vitesh, ai ka vënë me sukses në skenën e Akademisë së Artit veprën e famshme të Beketit “Duke pritur Godonë”. Sërish godet në shenjë me veprën e dytë të të njëjtit autor, duke e pasuruar në shumë pikpamje repertorin e skenave tona teatrore.

Por cilësimin “një oaz i shkëlqimit të artit”, që përdora më lart, vepra “Oh, ato ditë të bukura” e merr para së gjithash nga loja e jashtëzakonshme e aktores Yllka Mujo në rolin e Vinie, “solistja” absolute në të dyja pjesët e shfaqjes.

Çdo monodramë rrezikon monotoninë e një monologu pa thyerjet që krijojnë në skenë dialogët, fabula, subjekti, intriga, mizanskenat e tjerë e tjerë. Edhe më i madh ky rrezik tek Oh, ato ditë të bukura” po të mbajmë parasysh dy elemente të tjera të veprës. E para, sofistikimin e Beketit si autor. Teksti i tij e ka objektivisht shumë të vogël mundësinë e “shkriftimit” me skena të thjeshta, të themi popullore. E dyta, Vinie dhe Villi (partneri figurant) janë konceptuar si personazhe kafkianë të kapur në kurth nga jeta në sosje e sipër. Udhëtimi i tyre i gjatë në jetë është konceptuar si një fundosje vertikale graduale në tokën që do të na përpijë (Vinie) dhe si zvarritje (Villi). Vinie-s i është veshur deri afër gjinjve një si këmishë force prej shkëmbi a rëre që nuk e lejon të lëvizë nga vendi. Mjetet shprehëse të saj janë fjalët dhe duart. Në pjesën e dytë të shfaqjes do të shohim se fundosja si metaforë e fundit që na pret, i ka mbuluar krejt gjoksin dhe duart, duke lënë jashtë vetëm kokën. Janë pamje që shëmbëllejnë me dënime mizore. Beketi luan mjeshtërisht me përqasjet apo asosacione që komunikojnë përkufizime të ndryshme për jetën e qenies njerëzore. Aktores i ka mbetur ndërkaq vetëm fjala, gjuha e mimikës dhe e syve. Me një partiturë interpretative të jashtëzakonshme që lexon saktë simfoninë e dallgëzimeve të pafund dhe plot kontraste te jetës, Yllka Mujo e shpërthen nga “kafazi” i rolit reduktimin e mjeteve shprehëse dhe ngre një monument të ri, nga më të lartët, në galerinë e roleve të saj.

Si artdashës i skenës dhe ekranit, e kam parë Mujon në shumicën e roleve që ajo ka luajtur në skenën e Teatrit Kombëtar dhe në filma. Ajo ka marrë me të drejtë vlerësime me superlativa nga kritika dhe publiku. Dukej sikur e kishte recituar këngën e fundit të mjellmës, në kuptimin që pas një karriere me disa kulminacione, nuk mund t’i kalonte majat e veta. Por tek “Oh, ato ditë të bukura”, ajo, siç më tha regjisori Kumbaro para shfaqjes, është takuar me rolin që ka pritur apo me rolin që po e priste për shkëlqimin e epërm. Pasi e pashë shfaqjen, ndava të njëjtin opinion me Kumbaron. Në rolin e Vinie, Mujo kalon sërish vetveten. Arti është “hapend” (ndodh), citonte Borhes një piktor. Teorikisht, sa kohë jemi gjallë dhe të aftë për të shkruar, pikturuar a luajtur në skenë, vepra më e bukur, arritja më e madhe, është përpara. Rabindrinat Tagora, poeti indian, kishte marrë çmimin Nobel dhe kishte kaluar të tetëdhjetat kur thoshte “tani jam gati të filloj”. Janë ekzigjencat që nuk venë kufij. Loja e Yllka Mujos në monodramën e Beketit vjen si vërtetimi më i fundit i kësaj sentence. /Panorama

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Masakrimi i masakrës

Nga: Luçiano Boçi  Kur ndodh një krim, gjëja kryesore që bëjnë autorët është djegia e mjeteve me të cilat kryhet krimi. Pra asgjësohet vetë krimi....

I ndaloi keçapin lojtarëve, kompania nuk ia përton Antonio Kontes

Emërimi i Antonio Kontes në krye të Totenhemit, solli ndryshime në klub. Tekniku i dha një vemendje të veçantë ushqimeve që konsumonin lojtarët, të...

FORMULA 1/ Presidenti ‘tradhton’ Shumakerin: S’është më i miri i historisë

Presidenti i FIA-s i ka befasuar të gjithë, duke mos e kurorëzuar si më të mirin ish-pilotin e tij në kohën e Ferrarit. Zhan...

Skandali me pagesat e UEFA-s, FSHF publikon “provat” e gabuara

Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë sot me një tjetër qëndrim zyrtar rreth çështjes së skandalit të shpërndarjes së fondeve të UEFA-s, në mënyrë...

Kreu zbulime që e revolucionarizuan shkencën: Kush ishte Galileo Galilei

Në cilësinë e ”babait” themelues në fushën e fizikës dhe astronomisë, Galileo Galilei është i njohur për kontribute të panumërta në shkencë. Mendimtari italian,...