E hënë, 6 Dhjetor, 2021
9.5 C
Tirana

Një luftë me “patriotë” e “tradhtarë”, që përfundoi nëpër “trarë”

Nga: Alfred Peza

Ajo që pak muaj më parë u nis si një luftë, që u shit sikur përfshinte brenda saj një tragjedi të madhe kombëtare, ka përfunduar si të gjitha gjërat joserioze të kësaj bote, thjeshtë si një komedi. E kam fjalën për luftën “serioze” që Ramush Hadarinaj nisi pak javë më parë, kundër Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama atëherë kur ajo i duhej Ilir Metës dhe Sali Berishës në Tiranë, e cila tashmë ka përfunduar në mënyrë qesharake.

Ishte koha kur Edi Rama u bë mikpritësi i radhës i takimit të nivelit të lartë të liderëve të rajonit, për të diskutuar atë që njihet si ideja e “minishengenit Ballkanik”. Një iniciativë që lindi nga Procesi i Berlinit, e iniciuar nga Kancelarja gjermane Angela Merkel, e për të cilën kanë qenë dakord që në gjenezë, edhe udhëheqësit më të lartë të Kosovës.

Por duke qenë se në Tiranë “ashtu ishte një punë” ato ditë, u gjet sebepi i ardhjes së Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, dhe Edi Rama u duhej “tradhtari më i madh i kombit”. Njeriu që kishte “shitur Kosovën tek Serbia”. Kryeministri që kishte bërë plane okulte “për të ndryshuar kufijtë e Kosovës” e pafundësisht broçkulla të tjera të kësaj natyre, mjafton që ato ta çonin ujin tek mulliri ku po bluheshin krundet e fundit të një “tragjedie shekspiriane”, me “libret alla shqiptar”.

Edi Rama u akuzua se mbështeste idenë e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve në hapësirën e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilat njihen ndryshe edhe si “katër liritë Evropiane”.

Nuk kaluan shumë dhe meqë Edi Rama nuk u duhej më “tradhtar”, edhe Presidenti edhe Kryeministri i Kosovës nxituan që ta përshëndesnin në mesin e këtij muaji, marrëveshjen për fillimin për herë të parë pas 21 vjetësh, të fluturimeve direkte ajrore mes Beogradit e Prishtinës. Hashim Thaçi tha pa e fshehur gëzimin e ligjshëm se “marrëveshja pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen”. Bukur boll!

Të njëjtët që kishin akuzuar Edi Ramën, se me “lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave” mes gjithë shteteve të rajonit ishte bërë “tradhtar i kombit”, përshëndetën edhe marrëveshjen për rifillimin e lidhjeve hekurudhore mes Serbisë e Kosovës. Ramush Haradinaj dora vetë, i tha gazetarëve se “hekurudhat tona që na lidhin me Serbinë, janë në gjendje shumë të keqe. Jemi në proces rinovimi. Është një projekt i madh me Bashkimin Evropian. Një marrëveshje me Serbinë për trafikun nuk do ta dëmtojë Kosovën”. Bukur boll besa!

Ne të Shqipërisë së Mesme kësaj i themi: Ku ishe? “Hiç gjëkundi”. Çfarë bërë? “Hiç asgjë!”

Por pavarësisht kësaj, Edi Rama nuk i tha as Hashimit “tradhtar”, e aq më pak, larg qoftë ti thoshte edhe një fjalë të tillë të vetme, Ramushit.

Por, ne kemi krijuar një kulturë shumë interesante vitet e fundit si shoqëri dhe po e kultivojmë atë si një mënyrë të re e moderne jetese. Ka njerëz që nuk ta harrojnë kurrë të keqen që të kanë bërë. Ndaj vazhdojnë të kërkojnë nga ti, se përse ti nuk ia kthen atyre, me të njëjtën monedhë që ata ta kanë bërë ty vetë. E kur ti prapë nuk u kthen përgjigje, por këtë ia le që ta sqarojnë gjykatat, ata vazhdojnë të të sulmojnë përsëri. Si për të të mbushur mendjen jo vetëm ty por edhe vetes, sesa të drejtë kishin herën e parë që të të quanin “tradhtar”, e gjithfarë tjetër që u bë për përfitime politike në kurrizin tënd.

Ramush Haradinaj së fundi paska thënë se “Shqipëria e ndal kryeministrin e Kosovës në autorrugë, nuk më ka ndalur as Maqedoni e as Bullgari, ju siguroj, nuk e kanë ndalur, si e kanë marrë vesh që është makina e kryeministrit, ka dalë polici, nuk të vonon sepse nuk duhet, nuk parashihet janë këto protokolle të sigurisë. Për shembull pyetja shtrohet, a paguan Edi Rama kur të vjen nga andej? Nëse ai nuk paguan si kryeministër pse e trajton kryeministrin e Kosovës ndryshe?”

Përgjigjen për këtë e kanë dhënë autoritetet zyrtare dhe kushdo që është i interesuar mund ta gjejë edhe tek “Zëri i Amerikës”. Por, ajo që mbetet për të thënë është se ndryshimi mes këtyre dy sulmeve, qëndron në faktin se ai i pari për “tradhti të lartë ndaj kombit”, u tentua që të paraqitej si një tragjedi. Ndërsa kjo e fundit, përfundoi si të gjitha farsat e kësaj bote, në një komedi. Përndryshe, e gjithë kjo luftë imagjinare, nisi me “heronj” dhe “tradhtarë” dhe u ndal në mënyrën më qesharake, nëpër “trarë”.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

S’ka më sekrete/ Ja kur do të mbahet Festivali i 60-të i Këngës në RTSH

Edicioni i 60-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar do të përfcillet LIVE për publikun shqiptar në mbrëmjet e 27,28 dhe 29...

Ekzekutimi i ish-deputetit, bashkëshortja nxjerr emrat dhe ndryshon dëshminë

Natalina Ujka, bashkëshortja e biznesmenit shkodran Pashko Ujka, ka treguar për grupin hetimor se personat me të cilët bashkëshorti i saj ka pasur konflikte...

Misteret e pazgjidhura të Luftës së Dytë Botërore

Ne të gjithë i duam misteret, dhe Lufta e Dytë Botërore siguroi shumë të tilla. Shkalla e madhe e luftimeve dhe e taktikave të tokës së djegur, solli...

Ish-banori i “Big Brother”: Donaldi nuk është fitues, mes çiftit s’ka dashuri

Ish-banori i “Big Brother”, Adi Pojana, teksa ishte i ftuar në studion e “Shqipëria Live”, ka komentuar lidhjen e shumëpërfolur mes Donaldit dhe Beatrix. Për...

“Shkelje financiare”, arrestohet presidenti i klubit italian

Presidenti i një prej klubeve të Serisë A është vënë në pranga, për shkelje financiare mes të cilave edhe deklarimin e falimentit të kompanive...