E hënë, 24 Janar, 2022
-3.5 C
Tirana

Një kartolinë me sekrete të njohura për Krishtlindje

Nga: Ilir Yzeiri

Sot është një ditë e veçantë për të krishterët në të gjithë botën, ashtu edhe për ata shqiptarë. Mirëpo, te ne, festat, prej shumë kohësh, e kanë humbur vëmendjen e tyre sepse shqiptarët, për fat të keq, bash atëhere kur rindërtuan institucionet e fesë pas mbylljes brutale që u kishte bërë diktatura dhe pas ndalimit me ligj të ceremonive fetare, mu atëhere, shqiptarët e humbën fenë e tyre dhe sot ngjajnë më shumë si një turmë e çakërdisur, si ajo që kishte tronditur Jezusin atëherë kur ai hynte në singogat hebreje dhe shihte se aty gjithçka ishte përdhosur, madje edhe kasapët kishin hyrë aty e shisnin mish.

Kjo ditë ka një simbolikë të veçantë sepse shenjon lindjen e besimit te qytetërimi perëndimor, sepse është dita simbolike që i bashkon të gjithë të krishterët drejt një vlere. Nuk dua të hyj në analiza teologjike, por dua të theksoj që, në qoftë se ne, shqiptarët, do të shkruanim një kartolinë për Krishtlindjet, për fat të keq, aty do të na duhet të tregojmë se jo vetëm që jemi sot një shoqëri pa model, por jemi larguar aq shumë nga ato vlera që mbajnë të bashkuar një shoqëri sa duhet të kemi frikë për të ardhmen.

Skandali i fundit me publikimin e pagave të mijëra shiptarëve nuk ishte zbulim i ndonjë sekreti, ai ishte vërtetim i radhës i shkatërrimit moral dhe i një shoqërie të korruptuar. Publiku nuk reagoi fare, ndieu po atë neveri që ka mbi tridhjetë vjet që e ndien ndaj atyre « heronjve » që kanë zëvendësuar hierarkët komunistë dhe që sot i shesin moral dhe i tregojnë se çfarë është e mirë e çfarë është e keqe çdo natë në hapësirën publike. Opinioni e dinte se një pjesë e elitave të këtij vendi janë jo vetëm të korruptuara e pa moral, por edhe shpërblehen në mënyrë katastrofike aq sa edhe një spital mund të paguajë miliona për një të tillë.

Pikërisht prej kësaj elite të korruptuar që zhurmon çdo natë nëpër televizione, ky vend nuk ndryshon, shoqëria është në gjendje të palëveizshme, sepse këta flamurtarë të regresit jo vetëm që nuk janë përfaqësues të opinionit, por janë kthyer si ata priftërinjtë e sinagogave para Krishtit që e kishin mendjen të përdhosnin besimin dhe të mashtronin. Pati prej atyre që thanë se zbulimi i këtyre pagave do të shkaktonte reagim apo lëvizje sociale. Çfarë mjerimi ! Shqiptarët e dinë që kanë një president që jeton në një luks të paimagjinueshëm, me vila, apartamente e pasuri përrallore të cilën e ka vënë vetëm duke qenë i angazhuar në Partinë Socialiste në fillim dhe në LSI më pas. Shqiptarët e dinë që ish- kryeministri Berisha i shpallur non grata nga SHBA-të është kampioni i korrupsionit dhe i shkatërrimit të imazhit dhe ëndrrës për një shoqëri demokratike. Zbulimi pas publikimit të pagave dhe të të dhënave të tjera të shqiptarëve tregoi fotografinë reale të shoqërisë sonë : e pabarabartë, me informalitet kriminal, me elita që gënjejnë shtetin dhe nuk paguajnë taksa dhe një shtet të pafuqishëm e folklorik që jo vetëm nuk ka reformuar administratën por ka çimentuar të gjithë nëpunësit e mesëm që u shërbejnë si graso për të rrotulluar më lehtë rrotën e korrupsionit të gjitha partive politike.

Lexo edhe :   Katër viktimat e "21 janarit", Rama: Fajtorët e vërtetë janë Berisha e Basha! 
Lexo edhe :   Basha: Berisha po vë interesat e tij personale mbi ato të demokratëve!

Në gjithë ato « sekrete » shteti ka bërë kujdes që të ruajë vetëm një të tillë : asnjë administratë nuk na e ka treguar se cilët janë njerëzit dhe elitat normale dhe të pakorruptuara në këtë vend, cilët janë ata shqiptarë që në këta tridhjetë vjet nuk janë joshur nga hajdutët e të gjitha qeverive, por kanë pranuar të jetojnë me dinjitet. Këta shqiptarë janë sekret jo vetëm për këtë qeveri, por për të gjitha qeveritë hajdute që kanë kaluar në këto vite tranzicioni. Shqiptarët dinjitozë dhe të virtutshëm janë sekret në këtë vend dhe nuk promovohen, sepse sistemi politik që ndërtua pasi  diktatura ra vetë në këtë vend, ishte sistemi politik që ka si model pasurimin me çdo kusht dhe lartësimin e heronjve që dinë ta vjedhin, ta shkatërrojnë dhe ta plaçkisin më mirë këtë vend.

Ndaj, sot, në këtë ditë të madhe për të krishterët në të gjithë botën, ne, shqiptarët, duhet të ulim kokën të turpëruar sepse edhe njëherë tjetër, përmes atyre të dhënave që u publikuan pamë se familja jonë e madhe është e kalbur, se një pjesë e padenjë e saj na vjedh, na bën moral dhe na shkatërron, ndërsa ata që i kemi mandatuar për të na qeverisur, jo vetëm që nuk e ndryshojnë dot këtë model, por po e bëjnë më të pështirë duke u dhënë më shumë shkëlqim elitave të korruptuara. Këto sekrete të njohura do të vazhdojnë të na shfaqen përditë ne të gjitha ekranet. Për fat të keq, asnjëherë nuk do ta marrim vesh se cilët janë njerëzit normalë në këtë vend, ata që jetojnë ashtu siç do të donin të jetonin shumica e shqiptarëve pa vjedhur dhe pa gënjyer.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Mungonin avokatët, GJKKO shtyn seancën ndaj Fatos Tushes

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë në datën 2 shkurt seancën në ngarkim të Fatos Tushes, ish-kryetarit të Bashkisë Lushnje dhe...

Rama: Presidentin e ri do ta zgjedhim ne, do i kthejmë dinjitetin asaj zyre

Kryeministri Rama tha sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar, se Partia Socialiste do të nisë punën për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës...

Mbyllja e shkollave për 3 ditë/Aktivistët: Ministrja bën meteorologen

Për tre ditë, shkollat do jenë të mbyllura për shkak të motit të acartë. Lidhur me këtë vendim, aktivistë të Qëndresës Qytetare kanë protestuar...

“E mbyllim në shkurt”/Rama mbledh Grupin Parlamentar të PS, ja çfarë do ndodhë

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, kreu i qeverisë Edi Rama iu është drejtuar socialistëve të angazhohen seriozisht në procesin e këshillimit kombëtar. Ai vuri...

Basha: Berisha po vë interesat e tij personale mbi ato të demokratëve!

Në Shqipëri zgjedhjet e pjesshme, të parakohshme lokale, më 6 mars, për të zëvendësuar kryetarët e gjashtë bashkive, që iu ka mbaruar mandati, priten...