Nga: Ariel Beery “The Times of Israel”
Një ditë të gjithë do të vdesim. Disa nga Covid-19, disa të tjerët nga zjarret, uraganet, apo nga uria e shkaktuar nga thatësira. Shumë nga ne do të vdesin si pasojë e gabimeve në protokollet mjekësore, shumë të tjerë nga efektet pasuese të kolapsit të ekonomive tona. Disa do të vdesin këtë vit, disa do të jetojnë më shumë kohë në këtë planet. E megjithatë një gjë mbetet konstante: të gjithë do të vdesim.
Atëherë, si duhet t`a jetojmë jetën deri në momentin që ajo merr fund? Judaizmi ka në thelbin e tij një instrument magjepsës që na kujton vit pas viti natyrën e paqartë të ekzistencës sonë në këtë tokë:Yom Kippur.
Ndryshe nga besimet e tjera fetare që e shtyjnë ditën e gjykimit në një të ardhme të largët, tradita hebraike synon të përballet çdo vit me ndikimin moral dhe etik të veprimeve të një personi.
Ajo na mëson të mendojmë se si jetojmë në kontekstin e të tjerëve, dhe nëse veprimet tona do të gjykohen për mirë apo do të na ndëshkojnë. Pavarësisht nëse jeni apo jo besimtar, hebre opse jo, besoj se ka një mençuri të thellë në kujtimin (të paktën) vjetor, se në jetë ka më shumë sesa pagat e përditshme dhe shpërblimet e saj financiare.
Unë besoj gjithashtu se nuk ka një kohë më ideale si momenti aktual për të kuptuar se ne si shoqëri e shtyjmë llogaridhënien për një kohë të gjatë:si e vlerësojmë kohën e një personi. Në botën e sotme, paratë që fiton dikush përcaktojnë sesi një person jeton dhe vdes. Vlerësimi i kohës së një personi, ka të bëjë në thelb me kuptimin e vlerësimit të jetës së tij. Si shoqëri, ne kemi lejuar që hendeku në mënyrën se si vlerësojmë njerëzit të rritet shumë – dhe me krizën ekonomike të përshpejtuar nga COVID-19, efektet janë të vështira që të injorohen.
Sa për të marrë një shembull për këtë vit, siç na e kujton Robert Reish rregullisht në Tëitter, “miliarderët e Amerikës e shtuan pasurinë e tyre me 970 miliardë që nga 18 marsi 2020, ose 5.3 miliardë në ditë”. Hendeku i të ardhurave në Izrael nuk është më pak i bujshëm, edhe pse statistikat janë më të vështira për t’u gjetur.
Ndërsa miliona njerëz me punë që “kërkojnë njohuri të specializuara” kalojnë në punën nga shtëpia, qindra miliona “punëtorë në shërbimet jetike” janë të detyruar të kërcënohen nga varfëria dhe vdekja duke shkuar në punë si zakonisht dhe duke rrezikuar shëndetin e tyre në terma afatgjatë.
Për të sqaruar këtë numër, le të marrim si shembull një kompani dhe një miliarder:”Xhef Bezos mund t’i jepte çdo punonjësi të Amazon nga 105.000 dollarë, dhe të ishte sërish po aq i pasur sa ishte para pandemisë”, llogarit Reish.
Duke qenë se “mesatarja e punonjësve të Amazon me kohë të plotë në SHBA fitoi 36.640 dollarë në vitin 2019”, hendeku midis asaj që është dhe asaj që mund të ketë qenë ishte shumë i madh. Sidomos përderisa mund të argumentohet se punëtorët e magazinave të Amazon – që renditen në pjesën e poshtme të asaj mesatare – janë ata që po e mbajnë funskionale pjesën tjetër të botës.
Do të ishte e lehtë të thuhet që ky është një turp. Urtësia e Yom Kippur, do të na kujtonte se faji është kolektiv, por dhe individual:secili person është drejtpërdrejt përgjegjës për veprimet që bën, dhe secili person është gjithashtu përgjegjës për veprimet që nuk i bën.
Në rastin e Amazon dhe gjigantëve të tjerë të ekonomisë sonë globale, që ecin me shpejtësi përpara ndërsa bota digjet, ne njerëzit mbajmë përgjegjësi që nuk i kërkojnë përfaqësuesve tanë në qeveri të vendosin standardet morale për shpërndarjen e drejtë të fitimeve.
Do të ishte gabim të kategorizohej kjo kërkesë morale në dinamikën e ashpër e majtë/e djathtë si në shkullin e shkuar. Legjislacioni i rregulloreve ekonomike për shëndetin afatgjatë të një kolektivi, është detyra e qeverisë edhe në shoqëritë më kapitaliste. Mos ndërhyrja aty ku papunësia ruhet në shifra dyshifrore, dhe ku shëndeti dhe mirëqenia e shoqërisë kërcënohet është moralisht i neveritshëm dhe i keq për interesat afatgjata të ekonomisë.
Për të sqaruar këtë argument duke përdorur “Amazon” si shembullin më të zymtë:gati çdo lexues i këtij artikulli do të punojë nga shtëpia; disa prej tyre do të punojnë nga shtëpia, me fëmijët ose persona të tjerë në ngarkim që kanë nevojë për kujdesin e tyre gjatë gjithë ditës. Sigurisht kompania bën një dallim midis punonjësve të saj:punëtorët në sektorët më thelbësorë të cilët duhet të paraqiten çdo ditë të paktën 9 orë në ditë, për të paketuar kutitë që plotësojnë nevojat e ne të tjerëve që punojmë nga shtëpia.
Edhe ata kanë fëmijë, apo persona në ngarkim, të cilët janë vetëm, dhe nuk kanë një kujdes ditor, të cilët do të dëmtohen në mënyrë të pariparueshme nga stresi që bie mbi ta dhe familjet e tyre. Pasi këta punëtorë nuk kanë mundësi, si ne të tjerët që të punojnë nga shtëpia, për të qenë fleksibël në punën e tyre, në mënyrë që të kujdesen për njerëzit e tyre të dashur.
Ashtu si me infermierët dhe mjekët, jeta jonë varet prej tyre. Punonjësit e supermarketeve. Zyrtarët e shëndetit publik. Punonjësit e kanalizimeve. Nëse nuk e ndryshojmë mënyrën se si ekonomitë tona rregullojnë punësimin e këtyre punëtorëve thelbësorë, dëmi që do t’u shkaktojë kjo periudhë këtyre punonjësve dhe personave në ngarkim të tyre, do të ndihen nga shoqëritë tona për dekada nëse jo brezat që do të vijnë.
Normat e arsimit do të bien. Ushqyerja do të dëmtohet. Dhuna në familje do të rritet. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me nivelet e varfërisë, produktivitetit, problemeve shoqërore.
Ata që janë aq cinikë sa e imagjinojnë se njerëzit janë një kontribut në një ekuacion të punës/kapitalit, mund të përpiqen të gjejnë një mënyrë për të shpjeguar se si ky ekuacion do të zgjidhet nga një treg i lirë i punës.
Ata do të nisin dhe justifikohen kur pyeten se si investimet në arsimin publik, shëndetin publik dhe kanalizimet, ndikojnë vijën fundore të atyre bizneseve që ata fitojnë nga viti në vit. Ka shumë gjëra që mund të bëjmë:derisa Covid-19 të vihet nën kontroll, punëtorët në këto sektorë jetikë për jetën, duhet të paguhen më shumë.
Ose mund të ligjërohet një ndryshim në javën e punës, për t’i inkurajuar kompanitë të punësojnë 2 persona për çdo rol që dikur mbulohej nga një person, duke ulur orët e javës së punës për punëtorët e këtyre sektorëve në vetëm 20 orë në javë, duke ruajtur të njëjtin nivel page me kohë të plotë, dhe duke u dhënë mundësi atyre punëtorëve që të kujdesen më mirë për familjet e tyre.
Ne mund të rrisim taksat e korporatave ndaj kompanive me fitime të mëdha – ose thjesht të mbyllim hendeqet – për t’i inkurajuar përfituesit të rishpërndajnë fitimet për punëtorët e tyre. Ne mund të financojmë sigurimin e jetës për çdo punëtor në këto sektorë thelbësorë, në mënyrë që ata të mos kenë frikë nga ndikimi mbi familjet e tyre.
Ka mënyra të pafundme përmes së cilave ne të veprojmë moralisht si një shoqëri, ndërsa inkurajojmë tregtinë dhe sipërmarrjen e lirë. Ajo që na duhet është vetëm vullneti. Pavarësisht nëse e kremtoni apo jo Yom Kippur, le të gjejmë një moment për të reflektuar mbi përgjegjësinë tonë personale dhe kolektive mbi mënyrën se si e lejojmë përfitimin në ekonominë tonë.
Le të kujtojmë se ka qenie njerëzore që vuajnë për shkak të mosveprimit tonë, dhe se dëmi i shkaktuar ndaj atyre nuk është thjeshte tragjik, por ai ka pasoja afatgjata në shoqërinë tonë në tërësi. Le të kujtojmë se veprimet tona kanë rëndësi, pavarësisht nëse gjykohen nga një fuqi më e lartë apo nga koha. Le të gjejmë rrugët e veprimit këtë vit për të ndryshuar atë që mund të ndryshohet.
Burimi i lajmit: https://blogs.timesofisrael.com/were-all-gonna-die/
Përshtatur nga TIRANA TODAY