Edhe pse vendi ndodhet në heshtje zgjedhore, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vijon me deklaratat e tij të njëpasnjëshme.
Meta i ka bërë thirrje prokurorëve e gjyqtarëve që të zbatojnë ligjin për zgjedhjet e 25 prillit, ose populli do i arrestojë në flagrancë.
Sipas tij, kriminelët më të rrezikshëm janë ata të veshur me unfiromë, prandaj ai kërkon që gjyqtarët e prokurorët mos bëhen palë dhe të qëndrojnë larg ndikimeve politike.
”Kriminelët janë kudo të rrezikshëm. Por më të rrezikshmit janë kriminelët e veshur me uniformë, janë ata që gjenden brenda sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë. Prandaj thirrini mendjes, zbatoni ligjin, qëndroni larg ndikimeve politike, mos u bëni palë dhe ruani integritetin e detyrës.
Përmbushni detyrën pa asnjë vonesë dhe mos e detyroni Popullin t’ju arrestojë në flagrancë përmes ligjit, që Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar. Presidenti i Republikës është gjithmonë me Kushtetutën dhe Sovranin.
Presidenti i Republikës është gjithmonë gati për të marrë përgjegjësinë për çdo Dekret në mbrojtje të Zgjedhjeve, Demokracisë dhe Popullit nga dhuna e oligarkisë! Nesër duhet të jetë Festa e Demokracisë.’’, shkruan Meta në rrjetin social, Facebook.