Ish-presidenti Bujar Nishani, ka reaguar pas vizitës së përfaqësuesve të Komisionit të Venecias në Shqipëri për Ligjin e Pronave.
Përmes një postimi në Facebook, Nishani kërkon që se ekspertët të verifikojnë korrespondencën dhe përmbajtjen e varianteve të dërguara nga Gjykata Kushtetuese në Komisionin e Venecias.
Gjithashtu ai kërkon që të verifikohet varianti origjinal i dërguar nga Parlamenti te Presidenti për dekretim. Kjo pasi sipas ish-presidentit, varianti i dërguar në Venecia është i mangët dhe i manipuluar, kryesisht relacioni.
Postimi i plotë:
Media njofton se përfaqësues të Komisionit të Venecias do të vizitojnë Shqipërinë në lidhje me Ligjin e Pronave! Ligji i Qeverisë së ish-stalinistëve shqiptarë,(sot rilindësit) në fakt është një variant modern i rikonfiskimit të pronave të sekuestruara nga etërit e bijve dhe ka shumë çështje që Komisioni i Venecias mund të hulumtoi. Por përveç tyre, po ju kujtojë ekspertëve të Venecias vetëm një çështje e cila përbën skandalin formal të procesit të rikonfiskimit të pronave në Shqipëri.
Venecia le të kërkoi dhe verifikoi korrespondencën dhe përmbajtjen e varianteve të dërguara nga Gjykata Kushtetuese në Komisionin e Venecias dhe variantin origjinal të dërguar nga Parlamenti tek Presidenti për dekretim! Varianti i dërguar në Venecia është i mangët dhe i manipuluar, kryesisht relacioni.
Dokumentacioni dhe korrespondenca e shqyrtimit kushtetues është e plotë në Institucionin e Presidentit të Republikës ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese. Venecia, le ta nis me këtë çështje verifikimin dhe kuptimin e grabitjes dhe dhunimit të ri të së drejtës fondamentale të njeriut në Shqipëri, PRONEN!