Nis vaksinimi i mjekëve kosovarë: S’kishim frikë nga lufta, e jo më nga vaksina

Ka filluar në Kukës vaksinimi kundër koronavirusit i 250 mjekëve nga Kosova, proces i cili po zhvillohet në pallatin e sportit ”Hasan Prishtina’’. Ndërkohë, ditën e nesërme do të vaksinohen edhe 250 mjekë të tjerë.

Pak më parë, në Kukës ka mbërritur edhe kryeministri Edi Rama, i cili do të ndjekë procesin e vaksinimit me vaksinën e prodhuar nga kompania e AstraZeneca-s.

Për mediat lokale, disa nga mjekët e ardhur nga Kosova thonë se janë falenderuesë për mundësinë që iu është dhënë.

“Faleminderit që na kemi dhënë këtë ,mundësi ne, jemi shumë të kënaqur, vij nga Peja. Nuk kemi frikë. Faleminderit që na ka ardhur mundësia për ta marrë” “Vij nga Prishtina, nuk kam frikë aspak”

“Ju falenderojmë, vij nga Urgjenca e Pejës, nuk kemi frikë fare, në luftë nuk kemi pasur frikë nuk kemi as tani”, thanë ata.

Kosova akoma nuk e ka nisur vaksinimin e bluzave të bardha.