Nis fushata brenda Infektivit për Çomon, MSH detyron pacienten të dalë me video

Teksa spitalet covid janë kthyer në ”vatra korrupsioni’’, dhe ”burgje” ku është tepër e vështirë të marrësh informacione për të shtruarit, një rast i çuditshëm ka ndodhur ditën e sotme.

Një qytetar denoncoi faktin se prej dy ditësh nuk kishte kominkuar me motrën e tij e cila ishte shtruar në spitalin Infektiv, pasi ishte infektuar me koronavirus.

Pas publikimit të denoncimit në media, në kohë rekord Ministria e Shëndetësisë e ka nxjerrë pacienten që të bëjë një deklaratë për shërbimin e mrekullueshëm që ajo merr brenda spitalit.

Pacientja i drejtohet në vetë të parë shefes së Infektivit Najada Çomo, dhe e falenderon për punën e pakursyer që ajo bën.

Mesa duket, mjeket dhe infermieret nuk kishin kohë që të lajmëronin familjarët e pacientes për gjendjen ku ajo ndodhet, por kanë kohë, në mesin e qindra pacientëve që duhet t’iu shërbejnë, që të bëjnë video për propaganda.

“Përshëndetje doktoreshë Najada, ti je mbretëresha e spitalit. Faleminderit shumë, shumë për çdo gjë që bën për të gjithë pacientët tek Infektivi, për pacientët me COVID-19. Kur u sëmura kisha shumë frikë të vija këtu tek Infektivi nga fjalët negative të njerëzve, isha e frikësuar. Nuk dija çfarë të bëja.

Unë jam fansja jote e parë. Dhe jashtë ku jetoja të ndiqja me pasion. Dukeshe që je njeri shumë i mirë dhe vetëm prej teje vendosa të vija dhe thashë kam besim tek ai njeri. Do bëhem mirë, të falënderoj shumë, të dua shumë, qofsh mirë gjithmonë. Zoti të ndihmoftë ty se po bën gjëra të mrekullueshme çdo ditë, na jep kurajë.

Për stafin, për infermieret që janë të mrekullueshme, jam shumë e kënaqur dhe sanitarja që dhe ajo duhet të përmendet, është shumë e mirë. Nuk e di pse aq negativitet, nga njerëz që kanë ardhur këtu, janë shëruar dhe dalin jashtë dhe flasin ndryshe. Je shembull i të gjithëve, bashkë me stafin. Keni një zemër të mirë, na shihni nga ana njerëzore pastaj si pacientë. Qofshi mirë të gjithë”, deklaroi 40-vjeçarja.