Avokati Spartak Ngjela ka lëshuar një deklaratë të fortë, lidhur me vendimet për daljen e krizës nga pandemia. Në një intervistë për “Ora News”, teksa ka komentuar situatën ekonomike, Ngjela ka thënë se kryeministri Rama ka hedhur në treg euro të tepërta me të cilat bëri paratë e rrogave.
“Ne kemi vetëm një anë të medaljes, epideminë. Por nuk kemi analizë perfekte për tregun, sepse qeveria nuk jep informacion. Si komunistët. E jep Kina informacionin, as këta nuk japin. Por nga eksperienca ime, një gjë e luajti ky që na dëmtoi të tërëve. Lëvizi monedhën brenda dy ditësh, por askush nuk flet këtu. Media juaj tregoi se Shqipëria nuk ka ekonomist, por kontabilist. Dy ditë pas epidemisë, iku monedha euro 10 pikë. Por çfarë bëri ky, se ky nuk ka guvernator?! Ai është mediokër, sepse nuk e njeh profesionin. Mos mendoni se ka 8-10 ka guvernatorë të zotë në botë, të tjerët janë si ky i yni”.
I pyetur se çfarë ka ndodhur, Ngjela hodhi shashkën e radhës, duke zbuluar se në treg janë hedhur euro të tepërta. “Pati euro të tepërta, ktheu monedhën, dhe me këto dha rrogat. Unë jam partizan që paratë duhet të hidhen në treg, por jo të spekulohet me monedhën.
Në krizat perëndimore, në momentet e bllokimit, kanë falimentuar biznese dhe unë mendoj që këtu kapitali i madh do të falimentojë 40%, sepse bankat kanë humbur kredibilitetin. Raporti i tyre me bankat do të jetë i dobët, dhe për 40 % banka nuk do ju përgjigjet e do ju marrin asetet se i kanë në kolateral” , shprehet Ngjela.