Avokati Spartak Ngjela ka folur sot në studion e “Abc News”, për marrëveshjen e reformës zgjedhore mes PS -PD. Ngjela u shpreh se marrëveshjet realizohen për diçka të përbashkët. Ai tha se marrëveshja e arritur mes palëve politike, nuk ka lidhje me drejtësinë.
“Nuk e bllokojnë dot SPAK, nuk janë profesionistë. Lind problemi se çfarë do të bëjë SPAK?! Ka një angazhim denoncimesh që nuk janë në optikën e institucioneve.
Gjithçka do varet nga denoncimet, duhet të presim kur të fillojë gjetja e parave të korrupsionit në bankat offshore. Sipas të dhënava të mia, i kanë gjetur… Kemi një mori të madhe ngjarjesh që presin”, tha Ngjela.
Sipas tij, “ndërrimin e sistemit nuk e bëjnë, sepse nuk dalin dot me lista të hapura se kanë konflikte brenda partive. Gjithë të vjetrit e PD-së janë kundër Bashës. Edhe Rama e ka më keq me të vjetrit.
Këta mendojnë se nuk na duhen armiqtë, por në rast se hapen listat, atëherë fillon karriera politike. Gjithë strukturat janë të vjetra, liderit janë të rinj. Nuk dalin kundër partisë, këta janë me partinë dhe rrëzojnë kryetarin. Tremben sepse e dinë sa e kanë popullaritetin brenda vetes, këta kanë vetëm pushtetin, ndërsa listat e hapura janë më të rrezikshme”, u shpreh më tej avokati.