Editorial - Opinione

Nga zgjerimi i BE-së përfiton e gjithë Evropa

               Publikuar në : 11:30 - 15/05/19 S.N

Nga Andrzej Duda, “Financial Times”

Pesëmbëdhjetë vjet më parë, Polonia dhe 9 vende të tjera, shumica e tyre të Evropës Qendrore, u bënë anëtare të BE-së. Ky zgjerim, ndodhi 5 vjet pasi ne iu bashkuam NATO-s. Me këto zhvillime, blloku e çau përfundimisht vijën ndarëse të epokës së Luftës së Ftohtë, e quajtur me të drejtë nga Uinston Çërçilli si Perdja e Hekurt, që kishte krijuar kufij artificialë në kontinent.

Ndarja e pasluftës e Europës në pjesët perëndimore dhe lindore, ishte e vendosur nga forca, duke shkelur të gjitha të drejtat e kombeve dhe shteteve, për liri dhe vetëvendosje.

Ata që ishin me fat në Perëndim, nisën rrugën e integrimit evropian që në vitet 1950. Ne të tjerët që ramë nën shtypjen sovjetike, nuk e patën këtë shans. Anëtarësimi ynë në BE, ishte një rikthim në gjendjen natyrale të punëve. Evropa ka qenë gjithmonë shtëpia jonë, habitati ynë natyror.

Polonia ka përfituar shumë nga anëtarësimi në BE. Ne fituam partnerët tanë në Evropën Perëndimore, përqafuam tregjet e lira, dhe ftuam investitorët e huaj, duke krijuar një mjedis shumë të favorshëm për biznesin. Natyrisht, Polonia është bërë me e pasur falë investimeve të BE-së.

Megjithatë, edhe prodhuesit gjermanë të makinave, bankat franceze, prodhuesit spanjollë të rrobave, eksportuesit italianë të ushqimit, kanë rritur gjithashtu fitimet e tyre, falë mundësive dhe privilegjeve që ata gëzojnë në Poloni. Ne duhet t’i mbështesim këto prirje pozitive, dhe të shfrytëzojmë plotësisht potencialin e Evropës Qendrore në mesin e sfidave të reja, duke përfshirë verdiktin e shumicës së qytetarëve në Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga BE-ja.

Kjo është arsyeja, se përse Polonia dhe Kroacia kanë promovuar Nismën e Tre Deteve- një forum rajonal prej 12 vendesh të BE-së, që ndodhen midis deteve Adriatik, Baltik dhe Detit të Zi. Ne po synojmë ta integrojmë Evropën Qendrore përgjatë një aksi veri-jug, dhe të kontribuojmë në kohezionin dhe zhvillimin e Evropës.

Rajoni ynë mund të nxisë ekonomitë kombëtare përmes investimeve në infrastrukturë, duke harmonizuar rrjetet e transportit dhe ato energjetike, të cilat mbeten të pazhvilluara, krahasuar me Evropën Perëndimore. Ne kemi arritur tashmë një konsensus politik rreth ndërtimit të autostradës “Via Carpathia”, që do të lidhë portin lituanez të Klaipedas, me portin grek të Selanikut, dhe mbi një plan për të ndërtuar një gazsjellës, për të lidhur terminalet e gazit natyror në qytetin polak Svinoujshie në Baltik, me ishullin kroat të Kërkut në Adriatik.

Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendeve të Nisnës së Tre Deteve është 1.8 trilionë euro, dhe pritet të rritet me 2.4 përqind në vit deri më 2030-në. PBB-ja në Poloni, është rritur me më shumë se 800 për qind që nga viti 1989 – rritja më e madhe në Evropë. Në vitet 2017-2018, ne patëm një rritje mesatare prej 5 për qind.

Nisma e Tre Deteve, me fokus zhvillimin infrastrukturor, energjik dhe digjital ndërkufitar, ka potencialin të nxisë një valë të re investimesh, dhe ta forcojë këtë prirje. Ky është kontributi ynë kryesor në projektin evropian. Ne po mendojmë gjithashtu edhe për sigurimin e Evropës, që duhet të lulëzojë në një mënyrë paqësore.

Ne jemi pjesë e një grupi prej 9 vendesh në anën lindore të NATO-s, të njohur si “Bukureshti 9”, që filloi koordinimin e politikave tona të mbrojtjes, pas samitit të aleancës në Varshavë në 2016. Që nga ajo kohë, ne jemi takuar vazhdimisht në kuadër të këtij formati.

Këto dy projekte, kanë marrë pëlqimin politik të të gjitha shteteve pjesëmarrëse. Kjo është dëshmi e tre dukurive. Së pari ne po shohim rritjen e një brezi të ri politikbërësish europianë, që e mbajnë mend ndarjen para vitit 1989 të kontinentit tonë, por që nuk janë të ndikuar prej tij.

Së dyti, kemi hyrë në një kapitull të ri në historinë tonë të përbashkët evropiane, ku elitat politike të vendeve të Evropës Qendrore janë fuqimisht pro-evropiane dhe pro-transatlantike; dhe ne kemi dëshmuar se kur takohemi si një grup, mund të dalim me ide serioze, të cilat dëshirojmë t’i zbatojmë.

Që nga viti 2015, kemi qenë mjaft të suksesshëm në këtë drejtim. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, kontinenti europian filloi një rikthim të vërtetë në gjendjen e tij natyrale të punëve. Ky proces, nuk është përfunduar ende. Pjesët e kontinentit tonë – në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Lindore – janë akoma duke trokitur në dyert tona.

Pasi hyri në BE në vitin 2004, Polonia nuk e mbylli derën nga pas. Dëshira ime, është që një ditë çdo komb evropian, të ketë herët a vonë, të njëjtën mundësi si ne me referendumin e vitit 2003 – për t’i thënë “po” Evropës në një mënyrë demokratike.

Shënim: Shkrimtari Andrzej Duda, është president i Polonisë

Përshtati për Tirana Today, Alket Goce

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT