Futboll

Nga ushtar i Hitlerit në portierin më të mirë në Angli, historia e pazakontë e Bert Trautmann


               Publikuar në : 13:37 - 24/06/19 S.N

Kur ushtarët amerikanë kapën rob një ushtar gjerman, në hambarin e një ferme në Francë në vitin 1944, nuk mund ta imagjinonin që 12 vjet më vonë ai do të bëhej një nga futbollistët më të famshëm në Angli. Ata gjithashtu nuk mund do ta kishin imagjinuar kurrë, se ai do të ishte një nga njerëzit e vetëm në histori që do të merrte medaljen e Kryqit të Hekurt nga Gjermania naziste, dhe Urdhrin më të lartë të nderit nga Britania.

Bert Trautmann lindi në Bremen në tetorin e viti 1923. Ashtu si shumë të rinj gjermanë të gjeneratës së tij, ai u rrit gjatë kohës kur në Gjermani erdhi në pushtet Partia Naziste. Ndaj iu bashkua që kur ishte 10-vjeç Jungvolk (degë e Rinisë Hitleriane). Nisi të shkëlqejë në sporte, veçanërisht në futboll dhe hendboll.

Kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, Trautmann ishte duke punuar si një ndihmës tek një mekanik. Ai u bashkua Luftwaffe, forcave ajrore gjermane në vitin 1941. Fillimisht u trajnua fillimisht si radist, dhe më vonë shërbeu tek trupat tokësore në Poloni.

Pas një shakaje pa kripë ndaj rreshterit të tij, që u plagos, Trautmann dënohet me 3 muaj burg. Gjatë qëndrimit atje pësoi një krizë të apendicitit, dhe u transferua në një spital ushtarak. Pasi u shërua, u rikthye në shërbim aktiv, por u transferua në Divizionin e 35-të të Këmbësorisë.

Në këtë rol, ai luftoi në Frontin Lindor në Ukrainë. U gradua kapter, dhe u nderua me 5 medalje për trimëri dhe guxim, njëri prej të cilëve ishte Kryqi i Hekurt.

Por njësia e tij pësoi humbje të rënda përballë armiqve sovjetikë. Ai u transferua më pas nga Fronti Lindor në Francë, si pjesë e një njësie të re. Por edhe periudha e tij në Francë, ishte po aq e vështirë sa edhe ajo e kaluar në Frontin Lindor. Njësia e tij u dërrmua nga bombardimet, dhe ai ishte një nga të paktët që i mbijetuan sulmit aleat në Klev.

Në kohë të ndryshme ai u kap 2 herë rob, si nga trupat e Rezistencës Franceze, ashtu edhe ato sovjetike, por në të dyja rastet ia doli të arratiset. Kur në vitin 1944, thuajse e gjithë njësia e tij ishte shfarosur, vendosi të tentonte të kthehej në shtëpi në këmbë. Nga frika se mos ndeshte trupa gjermane rrugës dhe mund të pushkatohej si dezertor, ai i shmangu si bashkatdhetarët ashtu edhe trupat aleate, të cilat kishin po aq gjasa që ta vrisnin.

Ai arriti t’ju shmanget me sukses për disa ditë, por fati i tij mbaroi kur u fsheh në hambarin e një ferme në Francë. Dy ushtarë amerikanë hynë brenda, dhe pasi e pyetën kush ishte e detyruan të dalë jashtë me duart lart. Ai mendoi se ata ishin gati që ta ekzekutonin, ndaj duke përfituar nga një moment shpërqendrimi kapërceu me vrap një gardh, vetëm për t’u gjendur para një ushtari britanik, që e kapi menjëherë.

Ajo do të ishte arratisja përfundimtare e Trautmann. Ai do të bëhej një rob lufte në një kamp në Eseks të Britanisë së Madhe. Në kamp, ai u klasifikua fillimisht si një i burgosur i kategorisë C – pra një nazist. Megjithatë, pas një farë kohe ky status u reduktua në kategorinë B, që do të thoshte se cilësohej si një rehabilituar.

Pas ndryshimit të statusit, ai u transferua në një kamp tjetër në Lankashajër, ku nisi të punonte në fermë me fshatarët e zonës. Menjëherë pas përfundimit të luftës, qeveria britanike i ofroi mundësinë e rikthimit në Gjermani, por ai kërkoi të qëndronte në Britani, një kërkesë që ata ia plotësuan.

Ai nuk e kishte harruar kurrë dashurinë e tij të hershme për futbollin. Ndaj iu bashkua klubit amator St Helens, dhe shumë shpejt fitoi emër si një portier i shkëlqyer. Kjo gjë zgjoi interesin e klubeve më të mëdha. Në vitin, Manchester City, një nga klubet më të mëdha në vend, i ofroi një kontratë.

Fakti që Manchester City po nënshkruante një kontratë me një njeri që vetëm 5 vjet më parë kishte luftuar për Gjermaninë naziste, shkaktoi shumë debate. Kur u shpall lajmi, 25.000 njerëz u mblodhën dhe protestuan jashtë selisë së klubit, duke hedhur slogane si “nazist” dhe “kriminel lufte!”.

Shumë nga tifozët e klubit, kërcënuan se do të bojkotonin skuadrën gjatë gjithë sezonit. Protestat u zhdukën vetëm falë ndërhyrjes së një prej rabinëve kryesorë të Manchesterit, Dr.Alexander Altman, i cili tha se Trautmann duhet të falet. Megjithatë, imazhi i Trautmann si një ish-ushtar gjerman do ta përndiqte edhe për një fare kohe, me tifozët që e thërrisnin shpesh “nazist”.

Kjo ndikonte ndonjëherë aq shumë tek ai gjatë ndeshjeve, sa që pësonte gola që normalisht ishin të evitueshëm. Por shumë shpejt e mposhti frustrimin, dhe kur tifozët e panë se si ishte i talentuar, u bënë fansa të mëdhenj të tij.

Një nga momentet më të bukura të tij në karrierën e tij si portier ishte finalen e FA Cup e vitit 1956 kundër Birmingamit.  Në fitoren 3-1 të Manchester City, Trautmann bëri një prirje heroike, duke u përplasur fort me sulmuesin Birmingham, Peter Murphy. Si pasojë e saj, ai ndrydhi 5 rruaza në qafë, por vazhdoi të luajë, duke bërë disa pritje shpëtimtare, dhe duke i mundësuar Manchester City fitimin e trofeut.

Po atë vit, ai fitoi çmimin ’Futbollisti i Vitit’ nga Federata Angleze e Futbollit, duke qenë portieri i parë që nderohej me një çmim të tillë prestigjioz. Por pas kohë pas atij triumfi, Trautmann pësoi një tragjedi familjare. Djali i tij vdes në një aksident rrugor. Kjo tragjedi e preku thellë.  Ajo ngjarje, e kombinuar me dëmtimin e tij, ndikoi që ai të mos mbërrinte më kurrë nivelin që kishte para vitit 1956.

Ai u tërhoq nga futbolli në vitin 1964, dhe më pas nisi karrierën si trajner futbolli. Më pas u punoi për Federatën Gjerman të Futbollit, si një përfaqësues i saj në vendet më të varfra të botës, duke vizituar vende si Mianmari, Pakistani, Jemeni i Veriut, Tanzania dhe Liberia.

Ai u tërhoq në vitin 1988, dhe jetoi në Spanjë deri në vdekjen e tij në vitin 2013, në moshën 89-vjeçare.

Në vitin 2004 ai u nderua me Urdhrin më të Shkëlqyer të Perandorisë Britanike (OBE), që e bëri të vetmin person në botë që mban si një OBE ashtu edhe një Kryq të Hekurt. Britanija “The Daily Mail” e renditi atë si portierin e 19-të më të madh të të gjitha kohërave, dhe në vitin 2018 mbi jetën e tij u realizua një film./ Tirana Today 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT