Dje ka qenë afati i fundit për 25 mijë biznese, të cilat duhej të përmbushnin detyrimin për të bërë deklarimin e pasqyrave financiare, ecurisë së veprimtarisë e raporteve të auditimit për vitin 2016.
Dorëzimi i dokumenteve mund të bëhej në rrugë elektronike përmes portalit e-albania, ndërsa siç ishte paralajmëruar më parë, do të ketë penalitete për bizneset që nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor.
Por, cila është masa që do të merret ndaj këtyre bizneseve?
Në pikën 3 të nenit 74 të ligjit “Për regjistrimin e biznesit”, parashikohet një gjobë në masën 15 mijë lekë për mosdeklarimin në kohë të pasqyrave financiare, raporteve të auditimit e ecurisë së veprimtarisë për vitin paraardhës.