Nga Anxhela Ferra
Prej disa ditësh vendi është i paralizuar. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera rrugët janë bosh. Njerëzit janë të karantinuar në shtëpitë e tyre si pasojë e situatës së rëndë prej koronavirusit. Por, përtej përkujdesjes për shëndetin, mijëra shqiptarë janë të shqetësuar për fatin e tyre ekonomik. Me mijëra biznese, si lokale, restorante, parukeri, dyqane etj., kanë ulur qepenat.
Sa pritet të zgjasë kjo gjendje ende nuk dihet. Siç nuk dihet edhe vazhdimësia e këtyre bizneseve, nëse do të subvencionohen nga shteti apo do të falimentojnë.
Por, në mes të mijëra qepenave të mbyllur, janë disa biznese që vazhdojnë të qëndrojnë të hapura. Siç janë supermarketet, furrat e bukës, farmacitë. Pasi gjatë këtyre ditëve njerëzit kryesisht dalin nga shtëpia kur kanë nevojë për ilaçe apo ushqime.
Rekorde shitjesh në farmaci
Shitja masive e maskave dhe dezinfektuesve në Shqipëri nisi që në përfundim të muajit shkurt. Para se të bëheshin publike rastet e të prekurve me koronavirus në Shqipëri. Ishte shumë e vështirë të gjeje këto produkte nëpër farmaci. Madje kërkesat e larta, bën që shumë prej tyre të nisin edhe abuzimet me çmimet. Kjo gjë çoi autoritetet në marrjen e një vendimi për nisjen e investigimeve të rasteve abuzuese. Edhe pse njerëzit duket se u përgatitën me blerjen e maskave dhe dezifektantëve, kërkesat e shumta vazhdojnë ende. Denisa punon farmaciste në zonën e Don Boskos në kryeqytet. Ajo thotë për Tirana Today se njerëzit kanë tendencën të blejnë në sasi të shumta produkte si doreza apo maska, çka sjell edhe boshatisjen e shpejtë të tyre.
“Shitja e maskave, dorezave, dezikeftantëve vazhdon të jetë në nivele shumë të larta. Edhe pse nuk është e njëjta situatë si javë më parë, ku të gjithë u dyndën të blinin sa më shumë. Por, edhe tani ka individë që kërkojnë të blejnë sasi të shumta. Duke qenë se mjekët kanë bërë thirrje për konsumimin sa më të shumtë të Vitaminës C, njerëzit e kanë blerë masivisht.
Sa i takon ndërgjegjësimit dhe ruajtjes së distancës ne kemi gjetur një mënyrë efikase. Duke vendosur një tavolinë në hyrje të farmacisë. Në të kemi lënë dezifektantë, ku çdo person që hyn mund ta përdorë. Por, shërben edhe si një mënyrë që ata të mësohen se është shumë e rëndësishme mbajtja e distancës me njëri-tjetrin.”
Boshatisja e rafteve në supermarkete
Paniku dhe thirrjet për vetë-izolim bëri që njerëzit të dyndeshin në supërmarkete për të blerë sa më shumë ushqime. Ku ndryshe nga vende si Amerika apo Australia, shqiptarët u dyndën më tepër në produkte si makarona, oriz dhe miell. Firmat e të cilave kanë shtuar sasitë nëpër raftet e supermarketeve, si pasojë e kërkesave të larta nga qytetarët.
Mirela punon si shitëse në një prej supermarketeve në kryeqytet. Ajo shprehet për Tirana Today fluksi i njerëzve vazhdon të jetë i madh.
“Supermarketet kanë qenë ndër të parat biznese që e kanë ndjerë efektin e koronavirusit në vend. Që pa u bërë akoma shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, njerëzit nisën të mbushin karrocat. Dhe kjo gjendje kështu vazhdon ende. Që nga ora 7 e mëngjesit që ne e hapim dhe deri në orën 17:00 ka një fluks të madh. Ndoshta edhe sepse punojmë me këtë orarin e reduktuar. Te disa shihet që ka ndërgjegjësim dhe mundohen sa më shumë ta ruajnë distancën. Por, ka dhe nga ata që me moskokëçarje thonë se ‘kanë kaluar edhe më rëndë e nuk i gjen gjë’.
Produktet që nuk mungojnë thuajse në asnjë karrocë të konsumatorëve janë ato baziket. Si miell, sodë, makarona, sheqer, vaj. Pastaj, sigurisht edhe produkte të ndryshme që konsumojnë fëmijët, drithëra, çokollata etj. Sa i takon çmimeve, ka një rritje të ndjeshme në disa produkte, si vaji apo ato të bulmetit. Por, supermarketet bëjnë edhe oferta në produkte të tjera, si një formë balancimi.”
Blerja e ushqimeve online
Teksa restorantet apo fast food-et kanë marrë udhëzimet të qëndrojnë të mbyllura, shumë prej tyre i janë drejtuar shërbimit online. Duke ruajtur në maksimum kushtet e sigurisë, ata lëvizin nëpër rrugët e kryeqytetit për të shpërndarë ushqimet. Drejtuesit e restoranteve apo fast food-eve shprehen se ky izolim ka ndikuar drejtpërdrejtë në buxhet. Ndaj edhe alternativa më e mirë për të shpëtuar biznesin, është t’ia çosh klientit direkt në shtëpi. Miri zotëron një fast-food në zonën e Zogut të Zi. Ai shprehet për Tirana Today se fitimi i marrë gjatë këtyre ditëve është është më pak se xhiro e bërë në ditë normale.
“Sigurisht që është një xhiro shumë herë më e dobët. Edhe pse unë nuk kam qira biznesi për të paguar, sërish taksat, shpenzimet janë po ato. Jemi duke punuar me dyer të mbyllura dhe mundohemi të nxjerrim fitim nëpërmjet shërbimit taksi. Punojmë me dorëza, e dezifektojmë vendin thuajse çdo 2 orë. Po ashtu edhe motorrat me të cilët bëjmë shpërndarjen.
Kërkesa ka, por nuk janë shumë të larta, pasi njerëzit janë në shtëpi dhe gatuajnë vetë. Megjithatë, krahasuar me shumë sektorë të tjerë që janë të mbyllur, të paktën e kemi një xhiro në fund të ditës.”
Rikthim në “traditën shkodrane”, sytë te biçikletat
Një tjetër sektor që është paralizuar dhe ka prekur ndjeshëm përditshëmrinë e qytetarëve, është transporti publik. Teksa të paktë janë ata që mund të punojnë online, pjesa më e madhe e njerëzve janë të detyruar të shkojnë fizikisht në ambientet e punës. Por, kufizimi i qarkullimit të urbanëve ia ka vështirësuar së tepërmi. Ndaj, të shumtë janë ata të cilët i janë drejtuar “traditës shkodrane”, lëvizjes me biçikleta. E cila në vetëvete është edhe një mënyrë më e shëndetshme për të qarkulluar.
Për këtë arsye edhe kërkesat e qytetarëve për të blerë biçikleta gjatë këtyre ditëve është rritur. Çimi, prej 20 vitesh zotëron një dyqan biçikletash te tregu i biçikletave në kryeqytet. Ai thotë për Tirana Today se kryesisht është mosha e mesme, të cilët kërkojnë të zotërojnë një biçikletë. Pasi e shohin si mënyrën e vetme për të shkuar në punë. Por, edhe pse kërkesat janë të larta, tregtarët janë duke u përballur me vështirësitë e furnizimit.
“Ne nuk na ka ardhur asnjë urdhër që duhet ta mbyllim si biznes. Por, duke qenë se u bë thirrje për të gjitha bizneset, edhe kur e hapim bëjmë shumë kujdes. Ose punojmë më tepër me orar të reduktuar.
Mirëpo, kërkesat për biçikleta janë shtuar shumë, krahasuar me muajt e tjerë. Dhe sigursht që kjo ndikon pozitivisht në biznesin.
Por, problemi është se pikat ku ne bëjmë furnizmin janë të mbyllura, që prej 11 marsit që u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Dhe ne jemi duke punuar me aq mall sa kemi në gjendje, në pamundësi për të marr të ri.”
Problematika duket se është e njëjtë edhe për dhjetra dyqanet e ngjashme që ndodhen në tregun e biçikletave në Tiranë.
Efektet e rënda ekonomike dhe sociale që pritet të lërë virusi vdekjeprurës janë duke prekur thuajse çdo vend. Nga ato më të zhvilluarat e deri te shtetet më të varfëra. Këto të fundit janë edhe më vulnerabël ndaj krizave të tilla. Ndaj është e rëndësishme marrja e masave dhe krijimi i planeve konkrete. Në mënyrë që shqiptarët të mos varfërohen edhe më shumë./ TIRANA TODAY