Futboll

Nga Serbia te Kukësi, verilindorët afrojnë talentin e Shpresave

               Publikuar në : 15:04 - 12/01/19 Enno

Faton Xhemaili ishte futbollisti i vetëm shqiptar që aktivizohej në Serbi. Mbrojtësi 20-vjeçar që ka qenë pjesë e Radnikut, nuk është aktivizuar shumë në kampionatin serb, sigurisht edhe për shkak të kombësisë së tij.

Gjithsesi, Bushi e dalloj potencialin e tij duke e ftuar te Shpresat. Debutimi me kuqezinjtë erdhi ndaj Maltës në “Selman Stërmasi”. Tashmë, sipas asaj që raporton “Supersport”, futbollisti shqiptar e ka braktisur Serbinë.

Shqipëria do të zgjidhet jo vetëm si Kombëtare për t’u përfaqësuar nga Xhemaili, por edhe si kampionat për të vazhduar karrierën. Sipas të gjitha gjasave, futbollisti në fjalë do të luajë për Kukësin gjatë vazhdimit të sezonit në “Superiore”.

Xhemaili konsiderohet nga drejtuesit e Kukësit si një futbollist që do të plotësonte alternativat në dispozicion të Armando Cungut dhe në të ardhmen nëse e fiton vendin e titullarit mund të shërbejë edhe si një aset për të përfituar sa më shumë para në tregun e futbollistëve. Bisedimet janë drejt mbylljes, megjithatë duhet ende të vijë firma mbi kontratë.

Kthehu