Nga marrëveshja me Turqinë tek Konventa e Aarhusit, Meta dekreton 3 ligjet e rëndësishme

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar ditën e sotme 3 ligje të parlamentit.

Kreu i shtetit ka dekretuar shpalljen e ligjit “Për ratifikimin e ndryshimit të Protokollit II të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, në lidhje me përkufizimin e konceptit “Produkte origjinuese” dhe “Metoda e bashkëpunimit administrativ””.

Gjithashtu ai ka dekretuar shpalljen e ligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e ndryshuar të Organizatës Evropiane të Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT)”.

Ndërsa dekreti tjetër është për shpalljen e ligjit “Për pranimin e vendimit II/1 të palëve, që ndryshon “Konventën e Aarhusit për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”.

Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje 3 ligje:

  1. Ligjin nr. 82/2020 “Për ratifikimin e ndryshimit të protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, të ratifikuar me ligjin nr.9733, datë 14.5.2007, në lidhje me përkufizimin e konceptit “Produkte origjinuese” dhe “Metoda e bashkëpunimit administrativ””.

Ky ndryshim miraton vendimin që zëvendëson Protokollin II të rregullave të origjinës me Konventën rajonale për rregullat preferenciale Pan-Euro-Mediterane, duke plotësuar kudarin ligjor për të patur të njëjtat rregulla të origjinës me vendet nënshkruese të kësaj Konvente.

  1. Ligjin nr. 83/2020 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e ndryshuar të Organizatës Europiane të Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT)”.

Miratimi i këtij ligji synon përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga angazhimet në marrëveshje ndërkombëtare ku Shqipëria aderon në fushën e komunikimeve elektronike, ndërkohë që Shqipëria, edhe pse anëtare e EUTELSAT-it që prej vitit 1992, nuk kishte aderuar ende në këtë Konventë të ndryshuar, që është ratifikuar/pranuar nga 44 shtete të saj.

  1. Ligjin nr. 84/2020 “Për pranimin e vendimit II/1 të palëve, që ndryshon “Konventën e Aarhusit për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”, ratifikuar me ligjin nr.8672, datë 26.10.2000”.
Lexo edhe :   Atentatet mafioze në vend/ Meta: Të zbardhen menjëherë nga drejtësia

Miratimi i ndryshimit të Konventës së Aarhusit, ratifikuar nga shteti shqiptar që në vitin 2000, shkon në përputhje me frymën e Bashkimit Europian për transparencë dhe tërheqje të publikut në vendimmarjet që merr shteti, për transparencë tashmë edhe në fushën e vendimmarrjeve për organizmat e modifikuara gjenetikisht.