Që kur mbreti moabit, Eglon, u vra me thikë në fronin e tij në vitin 1200 Para Erës Sonë, udhëheqësit politikë janë vrarë për arsye nga më të ndryshmet. Zakonisht ata vriten pasi konsiderohen si një kërcënim nga të tjerët, apo për shkak të një qëndrimi të diskutueshëm politik. Po cilat kanë qenë vrasjet politike më me ndikim në histori?
Benazir Buto, ish-kryeministre e Pakistanit, vrarë në vitin 2007
Edhe pse nuk ishte më në pushtet, ndikimi i Butos në politikën pakistaneze ishte ende i madh. Një zë i moderuar në një vend plot ekstremizma, vrasja e saj nga militantët islamikë mund të ketë shkatërruar çdo lloj shansi që ky vend të ketë stabilitet politik, dhe ka të ngjarë të ketë kontribuar në trazirat ku është zhytur vendi që nga ajo kohë. Vdekja e saj krijoi një boshllëk që nuk e ka mbushur dot asnjë udhëheqës i opozitës, duke e lënë në kaos një vend të pajisur me armë bërthamore, dhe me një konflikt të hapur me Indinë fqinje.
Rajhard Hajdrih, zyrtar i lartë i Gjermanisë Naziste, vrarë në vitin 1942
Ai ishte i vetmi që mund ta kishte nxjerrë Gjermaninë fitimtare në Luftën e Dytë Botërore, po të mos ishte vrarë nga partizanët çekë në rrugët e Pragës. Tejet i pamëshirshëm, dhe 2 herë më i zgjuar se eprori i tij, Adolf Hitler, Hajdrih po përgatitej të ishte pasardhësi i Fyhrerit kur ky të vdiste. Shumë ekspertë mendojnë se nën udhëheqjen e Hajdrih, shumë gabime të bëra nga Hitleri në vitet e fundit të luftës, mund të ishin shmangur.
Kryeministrja e Indisë, Indira Gandi, vrarë në vitin 1984
Ashtu si Benazir Buto, edhe Indira Gandi ishte një politikane e moderuar, vdekja e të cilës solli për Indinë një periudhë të errët destabiliteti politik. Edhe pse shpesh konsiderohet si një figurë e diskutueshme, dhe herë pas here jopopullore në politikën indiane, ndikimi dhe dëshira e saj për ta modernizuar Indinë në shekullin XX-të nuk mund të nënvlerësohet.
Xhon Kenedi, president i SHBA-së, vrarë në vitin 1963
Ndërsa vdekja e tij pati vetëm një ndikim të vogël në kursin politik, në të cilin ai e kishte vendosur vendin (pasardhësi i tij, Lindon Xhonson, vazhdoi shumicën e programeve dhe politikave të tij), ajo e hidhëroi shumë popullin amerikan. Dhe kjo ndjenjë ka mbetur e njëjtë. Për më tepër, vdekja e tij solli lulëzimin industrisë së teorive të konspiracionit, që sot ka shumë ndikim në SHBA dhe gjithë botën.
Mahatma Gandi, aktivist politik dhe udhëheqës shpirtëror i Indisë, vrarë në vitin 1948
Simboli i lëvizjes paqësor u vra në rrugët e Nju Delhit, nga një student i kthyer në një aktivist radikal. Vrasja e tij ishte një goditje e madhe jo vetëm për Indinë, por për gjithë botën. Aftësia e tij për të ndikuar si tek hindutë ashtu edhe myslimanët, bëri të mundur paqen në kombin e tij të shkatërruar deri në atë kohë nga konfliktet e brendshme. I vetmi aspekt “pozitiv”, ishte që vrasësi ishte hindu. Po të ishte vrarë nga një mysliman, vendi do të ishte zhytur në një luftë civile e fetare me përmasa apokaliptike.
Jul Çezari, gjeneral dhe perandor i Romës, vrarë në vitin 44 Para Erës Sonë
Vrasja e gjeneralit më të madh të Romës së lashtë nga senatorët e tij, e futi perandorinë në një rrugë të gjatë të trazirave dhe tradhtive. Sesi mund të ishte Roma nëse ai do të qëndronte akoma në pushtet, kjo nuk dihet. Por ka të ngjarë që kalimi i pushtetit në të ardhmen, mund të kishte qenë më pak kaotik dhe më shumë paqësor.
Martin Luter King, aktivist i të drejtave të njeriut, vrarë në vitin 1968
Ndërsa është e pamundur të dihet se si do të kishin shkuar gjërat për komunitetin e zezakëve në fund të viteve 1960 nëse King nuk do të vritej, humbja e zëdhënësit të tyre kryesor, ishte padyshim një goditje e madhe për të gjithë lëvizjen e të drejtave civile. Vdekja e tij solli ngjitjen në krye të lëvizjes udhëheqës radikalë, që i thelluan me shumë ndarjet racore në SHBA.
Aleksandri II, Cari i Rusisë, vrarë në vitin 1881
Me një mendësi prej reformatori, Cari ishte në prag të krijimit të një parlamenti në Rusi, akt që me gjasë do të kishte çuar në demokratizimin përfundimtar të vendit. Por ai u vra nga një atentat të anarkistëve në vitin 1881. Dhe pasardhësit e tij vendosën të kishin një qasje më të egër, gjë që solli 3 dekada shtypje dhe korrupsion, dhe kjo mbolli “farat” për revolucionin komunist të vitit 1917, efektet e së cilit po i ndiejmë ende sot.
Abraham Linkoln, presidenti i SHBA-së, vrarë në vitin 1865
Asnjë atentat nuk ka pasur një ndikim kaq të madh në një vend, sesa ai ndaj presidentit të 16-të të Shteteve të Bashkuara. Vrasja tij nga aktori nga jugu i SHBA-së Xhon Bot, pati pasoja katastrofike. Për shkak të atij akti, Lufta Civile zgjati në fakt dekada të tjera, edhe pse jo me armë, të paktën në mendjet e shumë jugorëve.
Arkiduka Franc Ferdinandi, trashëgimtar i fronit Austro-Hungarez, vrarë në vitin 1914
Vrasja e Arkidukës dhe gruas së tij, ndërsa ata po hipnin në një makinë të hapur në Sarajevë, kryeqyteti i Bosnje Hercegovinës, pati pasoja të menjëhershme dhe të mëdha. Atentatori ishte pjesë e një grupi që kishte lidhje me ushtrinë serbe. Ndaj Austro-Hungaria akuzoi direkt qeverinë serbe, dhe ngjarjet u rrokullisën shpejt deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore, një nga konfliktet më të përgjakshme dhe më të kota në histori, ku vdiqën të paktën 15 milionë njerëz.
Burimi i lajmit: https://www.toptenz.net/top-10-most-important-assassinations-in-history.php
Përshtatur nga TIRANA TODAY