Nga e hëna, zgjerohet fasha orare për qytetarët

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përgjatë një deklarate për mediat, theksoi se nga e hëna, fasha orare për qarkullimin e qytetarëve do të zgjerohet nga 90 minuta, në 2 orë.

“Nisur nga zhvillimet e javës së fundit, nga vlerësimi dhe analiza e të dhënave dhe situatën e epidemisë në vend, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka hartuar strategjinë e ri-hapjes graduale dhe të kujdesshme për popullatën dhe shërbimet esenciale.

Kjo strategji parashikon katër faza për lehtësimin gradual të masave, që lidhen në mënyrë të ngushtë me evoluimin e infeksionit Covid-19 dhe shkallën e përhapjes së tij.

Do të tregohemi në çdo fazë shumë të kujdesshëm, duke vlerësuar kurbën epidemiologjike, shpërndarjen e vatrave të infeksionit, transmetueshmërinë e infeksionit si dhe përballimin nga strukturat spitalore të rasteve me simptoma të Covid-19.

Duke filluar nga dita e hënë, datë 27 Prill, do të zgjerohet fasha e lëvizjes për qytetarët nga 90 minuta në 2 orë, duke ruajtur parametrat e sigurisë të distancimit social dhe duke zgjeruar mundësinë e kryerjes së shërbimeve thelbësore në një hapësirë kohore më të gjerë”, tha Manastirliu.