Të gjithë besojnë se shumë shpejt ai do të lejë në hije Ronaldon dhe Messin, por me shfaqjen në Botërorin e Rusisë, të gjithë janë tallur me Neymar. Rrëzimet dhe hedhjet e tij të ekzagjeruara, bënë që në drejtim të tij të lëshoheshin një lumë kritikash, por ylli i Brazilit dhe PSG-së ka premtuar që tani gjithçka do të ndryshojë.26-vjeçari me anë të një video sqaron të gjitha ato që ndodhin në fushë dhe siguron që ai merr vërtetë goditje të forta dhe ndjenë shumë dhimbje. Ai shprehet se ky nuk është një “teatër” në të gjitha rastet. Duket se ylli brazilian në një farë mënyre e pranon se e ka ekzagjeruar deri diku me sjelljen e tij, por premton se tani e tutje gjërat do të jenë ndryshe.
“Shenjat e takave në pulpë, gjunjët në shtyllën kurrizore, shkeljet në këmbë…”: “Ju mund të mendoni se unë bëj teatër me reagimin në fushë. Nganjëherë e bëj. Por, e vërteta është që vuaj në fushë. Ti që je jashtë saj, nuk e ke idenë se çfarë kaloj. Kur të largohem pa folur për shtypin, nuk është sepse vetëm unë dua të fitoj, por sepse ende nuk kam mësuar të zhgënjej.
Kur dukem i pasjellshëm, nuk është sepse jam një fëmijë i përkëdhelur, por se ende nuk kam mësuar si të merrem me frustrimet e mia. Ka ende një djalosh brenda meje, ndonjëherë ai e verbon botën, herë të tjera i prish të gjitha. Dhe lufta ime është për ta mbajtur këtë djalë gjallë, por brenda meje, jo brenda fushës.
Ju mund të mendoni se e kam tepruar me rëniet në fushë, në Botëror, por realiteti është ndryshe. Paragjykimi më lëndon më shumë se kushdo që shkel në kyçin e këmbës sime të operuar. Kam marrë kohë për t’i pranuar kritikat.
Kam marrë kohë për të parë veten në pasqyrë dhe për t’u bërë njeri i ri. Por, tani jam këtu, me zemrën time të hapur. U rrëzova, por vetëm ata që bien mund të ngrihen. Mund të më godisni me gurë dhe të më ndihmoni të ngrihem, sepse kur ngrihem, i gjithë vendi ngrihet me mua”, shprehet Neymar.