Nesër rinis funksionimi i taksive me rregulla të reja

Duke nisur nga dita e nesërme do të funksionojë shërbimi taksi në qytete, por vetëm për transport brenda qytetit dhe jo për të lëvizur nga një qytet në tjetrin.

Sipas urdhrit të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor dhe Ministrisë së Infrastrukturës shoferi dhe pasagjeri duhet të jenë të pajisur me maska, doreza dhe dezinfektant si dhe duhet të shmangen kontaktet fizike.

Nuk do të lejohet më shumë se një klient në taksi dhe ai duhet të ulet mbrapa dhe diagonalisht me shoferin e mjetit… përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm rastet nga e njëjta familje dhe të shoqërimit me të mitur apo persona me paaftësi.

Gjithashtu një tjetër pikë që duhet respektuar është edhe ajrosja e mjetit në mënyrë natyrale pra kondicioneri duhet të jetë i fikur dhe dritaret e mjetit të qëndrojnë pakëz hapur.

Në rast se taksitë kryejnë transport ndërqytetas atëherë përgjegjësia do të bjerë mbi subjektin dhe mbi shoferin.