Nesër përfundon afati 3-javor për kufizimin e lëvizjes deri në orën 22:00

Ditën e nesërme do të marrë fund edhe kufizimi i lëvizjes deri në orën 22:00, i vendosur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve 3 javë më parë.

Ky vendim i Komitetit Teknik përfshinte edhe mbylljen e bareve dhe restoranteve në këtë orë, teksa 3 javë më parë u njoftua se në varësi të situatës do të njoftohen edhe masat e reja.

“Këto masa do të hyjnë në fuqi ditën e mërkurë në 11 Nëntor dhe do të zgjasin deri në 3 javë. Masat do të rishikohen çdo javë në varësi të situatës dhe dinamikës së ngjarjeve”, njoftoi ministria e Shëndetësisë 3 javë më parë.

Tashmë pritet se cili do të jetë vendimi i radhës që do të marrë Komiteti i ekspertëve, duke parë që situata e COVID në vendin tonë nuk është përmirësuar.

Ndërkohë, universitetet do të vazhdojnë mësimin online deri në një njoftim të dytë. Në 24 orët e fundit, në vend u regjistruan 832 raste të reja me Covid-19 dhe 12 viktima.