Pas vendimit të KE-së për mos hapjen e negociatave, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev deklaroi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Duke parë zhvillimet që ndodhën dhe pas konsultave që kam zhvilluar zgjidhja më e mirë dhe për të mos humbur kohë janë zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi Zaev, përcjell “INA”. Zaev theksoi se ky vendim vjen pas konsultimeve që ka marrë, ndërsa shtoi se zgjidhja më e mirë për të mos humbur kohë “janë zgjedhjet e parakohshme”.
“Para dy dite Brukseli na bëri padrejtësi, ne kemi kryer të gjitha obligimet. Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk dhanë datë. Ky është një gabim historik i Evropës. Falënderojmë shumicën e liderëve të Evropës. Kjo është një vendim i Evropës dhe problemeve të tyre të brendshme. Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve. Ëndrra evropiane e Maqedonisë nuk do të shuhet. Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky do të jetë edhe propozimi im në mbledhjen e liderëve”, tha mes tjerash Zaev.
Ndër të tjera, kryeministri maqedonas u shpreh se ditën e djeshme u telefonuan nga të gjithë liderët e Evropës për inkurajim.
Në takimin që do të mbahet të dielën me krerët e partive, Zoran Zaev do të hedhë në tryezë propozimin për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.