Prej fillimit protesta e studentëve është mbështetur nga të gjithë qytetarët. Por sot, kur bëhet afro një muaj që ata bojkotojnë mësimin; qytetarët duken se janë ndarë në mendimet e tyre. Disa vazhdojnë e mbështesin protestën dhe të tjerë mendojnë se studentët duhet të rikthehen në auditorë.
“Protesta e studentëve është kot fare. E gjitha kjo është një çështje politike, asgjë më tepër. Kjo gjë duket dhe në kërkesat e studentëve të cilët tani shtuan dhe një tjetër. Ata mund të kenë shumë kërkesa dhe disa duket se u plotësuan. Ndaj mua më duket pak si e tepërt kjo protesta.”
“Nuk besoj se do të realizohen të gjitha ato që kërkojnë studentët. Çdo gjë merret me shkallë-shkallë, ka ligje në mes dhe nuk mund të bëhen me një kërcitje të gishtave. E gjithë kjo protestë për mendimin tim është e shtyrë nga Partia Demokratike.”
“Duhet të shkojnë në shkollë, janë duke humbur shumë. Kërkesat tani janë si të kota. Janë disa studentë që për mendimin tim duhet të jenë të notës katër dhe pesë, e veç ata dalin në protestë. Unë kam biseduar me shumë nxënës të mirë që duan të kthehen në mësim. Por, ata që duan të mësojnë nuk i lënë këta të dobëtit.”
“Protesta tani të lë të nënkuptuar që nuk është realizuar mirë, me qëllim plotësimin e kërkesave të tyre. Dhe pse nuk duan të bëjnë bisedime me kryeministrin, duhet të krijojnë një komision që të organizohen më mirë. Se të rrish me muaj të tërë aty, nuk ka kuptim.”
Gjatë ditës së dytë të protestës pas pushimeve për festat e fundvitit, studentët janë ndarë në dy kampe. Disa kanë zgjedhur që të shkojnë dhe të zhvillojnë mësim në fakultete, e të tjerë vijojnë të qëndrojnë para kryeministrisë duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre. Këtë gjë studentët e konfirmuan edhe për Tirana Today, ku u shprehën të bindur se ata nuk do të hyjnë në mësim, pa u plotësuar kërkesat. Këtë qëndrim e përkrahin dhe disa qytetarë.
“Ne po protestojmë për të drejtat tona dhe jo për të drejtat e atyre. Ata i kanë xhepat dhe bankat plot, kurse ne nuk kemi asgjë. Edhe pse qeveria tha që do t’i plotësojë kërkesat, unë nuk e besoj që do t’i kryej.”
“Gjithmonë duhet të protestohet për një arsim më të mirë. Nuk e besojmë fjalën e kryeministrit Rama, ai vetëm gënjen.”
“Protesta e studentëve është e detyrueshme të bëhet. Çdo gjë që ka thënë kryeministri ka qenë kot. Këto janë pallavrat e Edvinit, por ne nuk kemi terezi për pallavra.”/ TIRANA TODAY