E enjte, 2 Dhjetor, 2021
7.5 C
Tirana

Në mbrojtje të parlamentarizmit shqiptar

Nga: Blendi Kajsiu

Futja e Partisë Demokratike në Parlament është pritur me zhgënjim nga shumë kritikë të qeverisë Rama. Nga disa kjo lëvizje shihet, me të drejtë, si inkoherente përballë fabulës së “masakrës zgjedhore”, të propaganduar nga Basha kryesisht për t’u rizgjedhur në krye të PDsë. Për të tjerë hyrja e opozitës në Parlament shënon kapitullim përballë regjimit Rama, që sipas tyre nuk mund të rrëzohet në mënyrë demokratike.

Dyshimi ndaj opozitës parlamentare është thelluar edhe nga deklaratat bombastike të Berishës se me ta marrë PD-në, do ta rrëzojë Ramën në shesh. Kjo ka krijuar bindjen në një pjesë të mirë të popullit dhe intelektualëve opozitarë, se Parlamenti është varri dhe jo lulëzimi i opozitës. Po t’i shtosh kësaj reduktimin e debateve parlamentare në batuta bajate apo në një luftë mes dy gjelash Basha – Rama, bindja mund të duket deri edhe e arsyeshme.

Ndaj është e rëndësishme ta mbrojmë parlamentarizmin e brishtë shqiptar si rruga e vetme dhe më e arsyeshme jo vetëm për forcimin e opozitës, por edhe të demokracisë shqiptare. Parlamenti është hapësira ku opozita mund të transformohet në alternativë qeverisëse dhe ku mund t’i kërkojë llogari ekzekutivit. Parlamentarizmi është jetik për demokracinë shqiptare sepse vetëm aty mund të përfundojë tranzicioni ynë politik nëpërmjet transformimit të armikut në kundërshtar dhe mbylljes së ciklit të polarizimit politik bosh që riprodhon statu quon-ë.

Domosdoshmëria e opozitës parlamentare është së pari produkt i dështimit të opozitës së rrugës. E vetmja fitore politike e PD-së në tetë vite opozitë ka qenë ligji për dekriminalizimin e politikës që u arrit brenda sistemit parlamentar dhe jo në rrugë. Të gjitha aksionet që ajo ka ndërmarrë jashtë Parlamentit kanë dështuar në mënyrë spektakolare, duke betonizuar pushtetin e Ramës.

Ndaj thirrjet për zhvendosjen e opozitës nga Parlamenti në rrugë janë të çuditshme, sidomos sot, në kontekstin e përplasjes Basha – Berisha. Nëse opozita dhe PD-ja e bashkuar dje nuk pati sukses me politikën ekstraparlamentare përse do ketë sukses sot, kur është e përçarë dhe akoma më e paaftë të mobilizojë qytetarët shqiptarë?

Natyrisht, opozitarizmi i PD-së në Parlament është ende i brishtë. Ai ndodhet nën peshën e rëndë të luftës Berisha- Basha, që nuk e lë të rritet dhe të transformohet në alternativë. E megjithatë edhe ky opozitarizëm i dobët sot në Parlament është shumë më efikas se ai dje në rrugë. Në Parlament opozita fiton edhe kur humbet.

Kështu, refuzimi i Partisë Socialiste për të ngritur një komision hetimor të kërkuar nga PD-ja mbi çështjen “Beccheti” ishte në fakt një fitore politike e kësaj të fundit. Ai nxori në pah fajësinë e qeverisë Rama më shumë sesa të gjitha denoncimet e mëparshme opozitare. Përtej justifikimeve ligjore të Kryeministrit pengimi nga ana e qeverisë i hetimit të një çështjeje që ka të bëjë me paranë publike nuk ka nevojë për shumë koment.

Kjo nuk do të thotë se opozita nuk mund të dalë kurrë në rrugë për të protestuar skandalet apo gjëmat e qeverisjes. Ama, rruga është një hapësirë komplementare që nuk mund të zëvendësojë Parlamentin dhe instrumentet e shumta që ai i ofron opozitës për të hetuar, ballafaquar dhe denoncuar qeverisjen. Ndaj rruga mbetet instrument kryesor i shoqërisë civile, i organizatave sociale apo i qytetarëve të thjeshtë që nuk gëzojnë hapësirat parlamentare.

Për këtë arsye venitja e parlamentarizmit, që në fakt nënkupton venitjen e opozitës parlamentare, dobëson si opozitën politike edhe atë sociale. Nga njëra anë opozita, politike është më e dobët në rrugë se sa në parlament, ku mund të transformohet në alternativë qeverisëse. Nga ana tjetër, duke dalë nga Parlamenti opozita politike uzurpon hapësirën jetike dhe natyrale të opozitës sociale, që është rruga dhe sheshi.

E thënë ndryshe, pa parlamentarizëm nuk mund të ketë demokraci. Parlamenti është hapësira e vetme ku armiku politik transformohet në kundërshtar. Politika ka si dimension bazë të saj prodhimin e armiqësisë. Antagonizmi mik-armik, sipas teorikut gjerman Karl Shmit dhe sipas Shkollës së Eseksit (produkt i së cilës është edhe shkruesi i këtyre rreshtave), është karakteristika bazë e politikës. Transformimi i armikut në kundërshtar politik është thelbi i demokracisë liberale.

Nëse Parlamenti është hapësira ku armiku transformohet në kundërshtar, rruga është hapësira ku kundërshtari politik transformohet në armik. Nëse Parlamenti prodhon politikanin që përdor forcën e argumentit me kundërshtarin politik, rruga prodhon politikanin që përdor argumentin e forcës përballë armikut politik.

Mbivendosja e rrugës ndaj Parlamentit nuk është thjesht produkt i mungesës së traditës sonë parlamentare apo vetëm i mbylljes së hapësirave parlamentare nga pushtetit. Ajo është gjithashtu produkt i krizës identitare të partive tona dhe i strategjive të lidershipit politik për t’u përjetësuar në pushtet.

Sa më shumë dy partitë tona kryesore, PS dhe PD, bëheshin të padallueshme si ideologjikisht edhe shoqërisht aq më shumë ato identifikoheshin dhe mobilizonin anëtarësinë përballë armikut opozitar. Për PS-në, armiku ishte dhe mbetet Berisha, për PD-në dje ishte Nano dhe sot është Rama. Nëse të qenurit socialist përcaktohej kryesisht nëpërmjet urrejtjes ndaj Berishës, të qenurit demokrat përcaktohej nëpërmjet urrejtjes ndaj Nanos dje dhe Ramës sot. (Për një analizë më të detajuar të këtij fenomeni shiko artikullin tim: Down with Politics! https://journals.sagepub.com/doi/10.1177/ 0888325409354354)

Transformimi i kundërshtarit politik në armik të urryer ishte dhe mbetet një investim politik i lidershipit për t’u përjetësuar në pushtet, sidomos te Partia Demokratike. Berisha dje e nxinte Fatos Nanon si kryemafiozin më pervers të të gjitha kohërave për të mbetur në krye të PD-së, si pas katastrofës së1996-1997, ashtu edhe pas grushtit të dështuar të shtetit të 1998, për të cilat ai ishte përgjegjësi kryesor. Ashtu sikurse Fatos Nano në 2005, Edi Rama në 2009, 2013 dhe 2017, mobilizonin socialistët përballë gogolit Berisha.

Lexo edhe :   Beteja për drejtimin e PD/10 avantazhet dhe disavantazhet e Berishës dhe Bashës

Pseudo-lidershipi i Bashës nuk solli asgjë të re në këtë proces. Ai bashkë me Berishën zëvendësuan kryemafiozin pervers Nano me perversin kryemafioz Rama. Kështu, në vend që të merrte përgjegjësi për humbjen spektakolare të zgjedhjeve parlamentare si në vitin 2017, edhe në vitin 2021, Basha drejtonte gishtin nga Rama dhe denonconte si tradhtar të gjithë ata që logjika nuk i lejonte t’i reduktonin zgjedhjet parlamentare të 2017 dhe 2021 te fabula e masakrës elektorale.

Lexo edhe :   Beteja për drejtimin e PD/10 avantazhet dhe disavantazhet e Berishës dhe Bashës

Nuk kemi të bëjmë me një fenomen thjesht politik, por edhe social. Transformimi i kundërshtarit në armik është i kudondodhur në mediat dhe në shoqërinë tonë në përgjithësi. Në debatet televizive tendenca është që kundërshtarin që mendon ndryshe ta etiketosh të shitur, të blerë ose të rrjedhur.

Ideja se dikush mund të mendojë ndryshe nga unë, pa qenë maskara, i korruptuar, i rrjedhur apo i shitur, ende nuk ka hedhur rrënjë në hapësirën tonë publike. Ideja e pluralizmit të mendimeve, që i njëjti fakt mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, ende mungon si në debatin politik edhe në atë mediatik dhe social.

Ndaj politika e rrugës është shumë më e thjeshtë dhe e dobishme politikisht se ajo e Parlamentit. Në rrugë kundërshtari politik kthehet në një armik që duhet asgjësuar me çdo mjet, me çdo kusht, edhe në mungesë të alternativës qeverisëse. Ai është bandit, i korruptuar, diktator, hajdut i vullnetit popullor që duhet rrëzuar, edhe me dhunë nëse është e nevojshme.

Problemi është që politika e rrugës prodhon dhe tërheq politikanin e rrugës dhe nën logjikën e luftës shpartallon pluralizmin dhe debatin. Nuk është rastësi që në PD sot lulëzon Flamur Noka apo Edi Paloka, por nuk afrohet Halim Kosova, janë larguar Majlinda Bregu, Ritvan Bode dhe Ilir Rusmajli. Nëse opozita parlamentare ka nevojë për intelektualin, opozita e rrugës dhe e çadrave ka nevojë kryesisht për të fortin dhe ushtarin e bindur ndaj kryetarit.

Nuk është çudi që një parti e tillë nuk i tejkalon dot krizat e lidershipit në mënyrë demokratike, siç po i ndodh sot PD-së. Ajo operon si repart ushtarak që duhet të asgjësojë armikun politik të radhës. Arsyetimi, logjika dhe përballja, duke e pranuar tjetrin si kundërshtar, zhvillohen në parlamentarizëm dhe jo në rrugë.

Ndaj sot ne PD nuk kemi debat, dhe aq më pak arsyetim, por betejë për eliminimin e armikut të brendshëm. Për Berishën dhe ndjekësit e tij Basha nuk është një kundërshtar politik, por një armik dhe poliagjent, që duhet asgjësuar. Berishistët e urrejnë Bashën sot me të njëjtin pasion si Edi Ramën. Në fakt, as nuk bëjnë më dallim mes të dyve.

Basha, nga ana tjetër, ka shkuar një hap më tej. Ai mohon vetë ekzistencën e kundërshtarit politik. Sipas tij, ata që nuk janë dakord me vendimin e tij për të përjashtuar Berishën nga Grupi Parlamentar nuk mund të ekzistojnë brenda PD-së. Pra, sipas Bashës nuk ekziston as mundësia teorike për të debatuar. Nëse dje ai bojkotoi Parlamentin shqiptar sot po bojkoton Parlamentin e PD-së, që është Kuvendi i saj kombëtar.

Ky atrofizim i Partisë Demokratike, që tashmë ka prekur edhe Partinë Socialiste, është në një masë të madhe produkt i atrofizimit të parlamentarizmit shqiptar. Është pasojë e politikës antisistem, antiparlamentare, që prodhon parti të mbushura me ushtarë të bindur ndaj kryetarit, por të zbrazura nga arsyetimi dhe logjika, nga debatet dhe pluralizmi i mendimit, që janë të domosdoshme për prodhimin e alternativës qeverisëse.

Është gjithashtu produkt i një polarizimi politik bosh që në mungesë të diferencave ideologjike, sociale apo qeverisëse ndërtohet mbi artikulimin e kundërshtarit politik si armiku absolut që duhet eliminuar me çdo kusht. Është e pamundur të identifikosh sot ndonjë diferencë ideologjike, sociale apo qeverisëse mes Berishës, Bashës dhe Ramës. Të tre janë pjesë e elitës politike, të tre përfaqësojnë shtresat e pasura apo oligarkinë, të tre janë akuzuar për abuzim me pushtetin dhe korrupsion, të tre janë neoliberalë.

Politika e rrugës me thirrjet “le ta hedhim qelbësirën”, me përplasjet me policinë, me pseudo-radikalizmin politik, është hapësira me e mirë për ta fshehur këtë realitet të dhimbshëm. Parlamenti ku përballen argumentet dhe vizionet qeverisëse është hapësira që mund ta ekspozojë këtë fakt dhe ta detyrojë opozitën që të prodhojë një alternativë qeverisëse përtej anti-Ramizmit.

Për këtë arsye thirrjet për radikalizëm dhe revolucionarizëm opozitar janë në fakt reaksionare sepse riprodhojnë status quonë e anormalitetit politik, në të cilin ndodhemi. Ato ushqejnë patologjitë e opozitës aktuale që shërbejnë për të përjetësuar keqqeverisjen në pushtet. Revolucioni i vërtetë për të cilën ka nevojë politika jonë është normaliteti dhe kjo arrihet me opozitën parlamentare, jo me atë të rrugës. /Panorama

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

1000 kurthe dhe teli me gjemba

Nga: Frrok Çupi Foltoret e këtij po duken e po zhduken ‘gëmushave’ në një marshim si iriqi. Sot ndodhet në Tropojë. 24 vjet më parë...

12 milionë gjermanë të pa vaksinuar/Spahn: Sistemi shëndetësor do mbingarkohet

Numri i njerëzve të pa vaksinuar në Gjermani është ende aq i madh, sa rrezikon të mbizotërojë sistemin shëndetësor të vendit. Ky paralajmërim ka...

Një marrëveshje globale për parandalimin dhe reagimin ndaj pandemisë

Një marrëveshje globale për parandalimin dhe reagimin ndaj pandemisë, është një hap më afër. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka rënë dakord të fillojë...

Irlanda raporton rastin e parë të Omicron

Irlanda ka raportuar rastin e saj të parë të variantit të koronavirusit Omicron, thuhej në një deklaratë nga Ekipi Kombëtar i Emergjencave të Shëndetit...

Atdheu thumbon Donaldin dhe Borën

Donaldi shprehu hapur ndjenjat për Beatrix Ramosajn, duke lënë pas në këtë formë historinë me Borën. Ish-konkurrenti i “Përputhen”, Atdhe Xharavina, e ka ironizuar këtë...