Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka apeluar qytetarët që të tregohen të përgjegjshëm. Apeli i saj vjen një ditë përpara hyrjes në fuqi të vendimit për mbajtjen e maskave mbrojtëse edhe në rrugë. Manastirliu ka kërkuar nga shqiptarët që të marrin përgjegjësinë për shëndetin e tyre, duke dhënë edhe një herë një shembull solidariteti.
“Me këtë video ndërgjegjësuese të “Stanford Medicine”, dua t’i bëj thirrje çdo qytetari që të marrë përgjegjësinë për shëndetin e vetes, të familjes, të miqve.
Me qëllim që në këtë përballje të vështirë me Covid-19 të dalim me sa më pak humbje, duke dhënë edhe një herë një shembull solidariteti, siç dimë të japim ne shqiptarët në kohë të vështira”.
Nga nesër, maska do të jetë e detyrueshme për tu mbajtur kudo, edhe në ambientet e jashtme. Gjatë 24 orëve të fundit është shënuar një tjetër rekord infektimesh, ku janë konfirmuar pozitivë 203 persona. I lartë vijon të mbetet edhe numri i viktimave, ku edhe ditën e sotme kanë ndërruar jetë 5 pacientë.