Me fillimin e sezonit veror, të shumtë janë edhe emigrantët të cilët kthehen në Shqipëri. Për ta takuar familjarët, për të pushuar, por edhe për të gjetur nuse. Prej kohësh ky është një fenomen i cili ndodh rëndomë, veçanërisht në zonat rurale. Herë më mblesëri, e herë të tjera djali kërkon që në ato muaj pushimesh të godasë zemrën e një vajze shqiptare. Ku garancia që ofrojnë, janë letrat e huaja dhe shteti ku jetojnë.
Por, çfarë mendojnë qytetarët për këtë dukuri dhe a do të pranonin ata një martesë për të përfituar nënshtetësinë e huaj dhe të largoheshin nga Shqipëria?
“Sigurisht që fakti që ka letrat është një avantazh dhe normale që ndikon nëse do të dilja apo jo me të.”
“Letrat janë një bonus, por ke nevojë të njohësh tjetrin më parë. Dhe në momentin që dashurohesh, sigurisht që nënshtetësia e huaj është diçka dytësore.”
Ndërkohë prindërit janë më të tërhequr.
“Unë të gjithë djemtë e mi i kam jashtë vendit, por nuk do të doja të martoheshin me ndonjë vajzë nga Shqipëria që të përfitonin letrat. Edhe pse po të jetë vajzë e ditur, mund ta kandis djalin që ta marrë e t’i bëjë letrat. Por, do të vuajnë se shkon jo te avokati, e në institucione të tjera. Është procedurë shumë e gjatë, kështu që më mirë ta gjejë andej.”
“Prandaj vijnë në Shqipëri ata emigrantë të fejohen e të martohen. Por, ama unë vajzën time nuk do ta martoja pasi ata mashtrojnë shumë.”
“Nuk është gjë e mirë që vajzat në Shqipëri të martohen me emigrantë. Sepse nuk i ke besë atyre, të gjithë i marrin për interes, i përdorin dhe më pas i lënë.” TIRANA TODAY