Në 2017 shiti gjithçka që kishte për të blerë bitcoin, sot është një milioner

Brenda 3 vitesh ai i shumëfishoi dhjetëra herë kursimet e tij, duke vënë gjithçka që kishte në një bast të vetëm dhe të rrezikshëm:bitcoin. Në vitin 2017, holandezi Didi Taihutu, asokohe 39 vjeç, vendosi që të shiste gjithçka që kishte për të blerë bitcoin, kriptomonedhën elektronike.

Ai u largua nga shtëpia e tij për t’u zhvendosur me familjen e tij (gruan dhe 3 fëmijët) në një kamping. Gjithashtu, ai hoqi dorë nga makina, motori, biçikleta elektrike, lodrat, rrobat dhe këpucët e vajzave të vogla.

“Njerëzit më thonë se jam i çmendur” tha ai për Business Insider – “Por ne jemi një familje që dashurojmë aventura dhe që luajmë bixhoz për ca kohë. Për një farë kohë, ne do të jemi minimalistë në përditshmërinë tonë, nuk na duhen shumë gjëra për të jetuar.

Dhe jeta është e mërzitshme në rast se nuk e rrezikon kurrë. Gjithashtu besojmë shumë në faktorin arsim. Për fëmijët është gjëja më e rëndësishme, dhe nuk është mirë t’i edukoni ata që të jenë tepër materialistë. Dhe sinqerisht, kjo ishte ajo që po bënim”.

Edhe dështimi i mundshëm i investimit të tij, nuk dukej se e trembte Didi Taihutu:“Nëse gjërat do të shkojnë keq, atëherë do të mbetemi pa para për një fare kohe. Por nuk mendoj se është gjëja më e keqe që mund të të ndodhë në jetë”.

Taihutu nuk tregoi në asnjë rast sesa kriptomonedha ishte në gjendje të blinte. Por dukej se ai kishte afro 100 kriptomonedha të tijat. Në vitin 2017, vlerësimi mesatar i 1 bitcoin ishte rreth 3.500 dollarë dhe me sa dihet, vetëm shtëpia e Didit u shit për 300.000 dollarë.

Pa shumë shpenzime, familja holandeze duhet të ketë qenë në gjendje të investonte rreth 350 mijë dollarë. Vitin e ardhshëm, kur rritja e ndjeshme e vlerësuar, u pasua nga një kolaps marramendës, por Didi e shtoi sërish pjesën e investimit.

Një investim i rrezikshëm dhe jashtëzakonisht i paqëndrueshëm, por që sot i ka dhuruar një pasuri të madhe familjes Taihutu. Kjo pasi e njëjta kriptovalutë vlen mbi 35 mijë dollarë një copë. Pra,familja holandeze ka rreth 3.5 milion dollarë në bitcoin.

Shumëkush do të nxitej t’i shiste dhe t`i kthente në monedhën tradicionale, në euro apo dollarë. Por Taihutu nuk tundohet. Ai është i bindur se vlera e bitcoin-it të tij do të rritet në 200 mijë dollarë copa deri në fund të vitit 2022. Ai pret që investimi i tij të shkojë në20 milion dollarë.

Besimi se bitcoin nuk ishte vetëm një modë lindi në vitin 2017, kur familja, pas vdekjes së babait të Didit, mori disa kohë për të udhëtuar nëpër botë. Gjatë udhëtimit të tij, Taihutu u takua vazhdimisht me njerëz që përdornin monedhat dixhitale.

Në Bali të Indonezisë ai takoi një tregtar bursash, që kishte dhënë dorëheqjen nga detyra pas 17 vitesh, duke u angazhuar në tregtinë e kriptomonedhës. Në një plazh afër Nozas në Kuinslend të Australisë, ai bisedoi me një person nga Dubai që tregtonte bitcoin.

Së bashku me disa miq, Taihutu filloi të merrej me Bitcoin që në vitin 2010, por ndërsa vlera u rrit në 2013, ai shiti gjithçka. Por në vitin 2017, familja mori një vendim radikal. Dhe nga një apartament me katër dhoma gjumi prej 200 metrash katrorë , ajo u zhvendos në një shtëpi rulot në një kamping. Synimi ishte të prisnin deri në vitin 2020, kur shuma e parave që kishin investuar të trefishohej, por gjërat shkuan shumë më mirë sesa prisnin ata.

Burimi i lajmit: https://it.businessinsider.com/questuomo-nel-2017-ha-venduto-tutto-quello-che-aveva-per-comprare-bitcoin-oggi-e-milionario/

Përshtatur nga TIRANA TODAY