Kryeministri Edi Rama është shprehur në një rast i gatshëm të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin. Edhe pse nuk ka ende asnjë kërkesë zyrtare për këtë, ambasadori rus, Karpushin mendon se takimi duhet të realizohet. “Për mendimin tim, është i mundur dhe i domosdoshëm. Por, organizimi i tij kërkon një agjendë të përshtatshme”, tha Karpushin në A2 CNN, në “I Ftuari” me Endri Xhafon.
Një arsye e mirë për t’u takuar, sipas Karpushin, mund të jetë Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes dy vendeve, i përgatitur që në vitin 1995. “Varianti i dytë u siglua në vitin 2004 në Tiranë nga ministrat e jashtëm të dy vendeve. Megjithatë, Traktati nuk u nënshkrua kurrë. Drejtuesit e Shqipërisë e kuptojnë domosdoshmërinë e një dokumenti të tillë dypalësh.
Tre vite më parë, gjatë takimit tim me Kryeministrin Rama, ai ra dakord të krijonte një grup pune për të finalizuar draftin, por kjo nuk u bë kurrë. Pala shqiptare, siç duket, nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik. Pra, duke iu kthyer pyetjes tuaj, duhet të them që, me gjendjen aktuale të marrëdhënieve tona dypalëshe, një takim i tillë me Presidentin e Rusisë vështirë se do të jetë i mundur”, shtoi Karpushin.