Nga Sarita Robinson & John Leach “Science Alert”
Shumë njerëz janë shprehur në mediat sociale, se ndihen më të lodhur se zakonisht gjatë periudhës së karantinës.
Ndërsa janë fizikisht aktivë vetëm për pak orë, shumica e njerëzve ngrihen zakonisht vonë në mëngjes.
Dhe shumë njerëz pyesin se si ka mundësi që ndihen të lodhur, kur të gjithë thuajse nuk
bëjnë asgjë punë.
Ndjenjat e lodhjes që po përjetoni tani, ka më shumë të ngjarë të lidhen me ngarkesën mendore për shkak të pandemisë së Covid-19, sesa me lidhjen fizike.
Lodhja, mund të ketë si shkaqe fizike ashtu edhe jo fizike.
Kur keni vrapuar për 5 km, meritoni të pushoni, ose pasi kaloni një sëmundjeje mund të ndjeheni të këputur dhe vazhdimisht të lodhur për disa javë. Por studimet, tregojnë se lodhja mund të shkaktohet edhe nga gjendjet psikologjike, siç janë stresi dhe ankthi.
Në situatën aktuale, mund të jetë më shumë monotonia e situatës, ajo që na bën që të ndjehemi vazhdimisht të lodhur.
Po çfarë mund të bëjmë për të rikthyer energjinë që kishim?
Kur përjetojmë ndryshime të mëdha, si studentët që shkojnë për herë të parë në universitet, apo ata që shkojnë të jetojnë në një vend të ri, nevojitet një periudhë adaptimi dhe tranzicioni.
Kjo kërkon kohë, dhe ndodh në disa faza. Java e parë e përshtatjes, përfshin shkëputjen nga mënyrat e mëparshme të të jetuarit dhe punuarit, si dhe krijimin e ndërveprimeve të reja.
Këto arrihen zakonisht deri në ditën e katërt ose të pestë, pas së cilës jeta fillon të bëhet më e rregullt dhe më e parashikueshme. Në javët e para të karantinës, njerëzit mund të ndjehen keq me humorin. Por kjo është një fazë normale e adaptimit.
Ju lutemi që të mos shqetësoheni shumë, por të jeni të sigurtë se kjo periudhë do të kalojë për shumicën e njerëzve, dhe javën tjetër do të ndiheni më mirë.
Tranzicioni në një mjedis të ri, mund të përballohet duke mbajtur një ditar. Mund të jetë e dobishme që të hidhni në letër mendimet dhe ndjenjat që keni përbrenda. Pastaj mund të rishikoni përparimin që keni bërë ditë pas dite, dhe të shihni se si mund të përshtateni.
Përshtatja e plotë funksionale me një mënyrë të re të jetesës, do të ndodhë pas rreth 3 muajsh. Sidoqoftë, ka një periudhë të vetëdijësimit që mund të ndodhë rreth 3 javësh pas fillimit të ndryshimit, kur një person mund të bjerë befas në një periudhë melankolie, dhe një rënie të humorit.
Shqetësimi në këtë rast mund të jetë, se situata e karantinës tani na duket si e përhershme. Por pasi të kalojë kjo fazë, këto ndjenja dëshpërimi nuk priren që të rikthehen. Mësimi tjetër se si ta ruani energjinë tuaj, vjen nga vëzhgimi i njerëzve në situata mbijetese.
Për të shmangur rënien në një gjendje apatie dhe mungese motivimi, është e rëndësishme të krijoni një strukturë të qartë deri në ditët tuaja. Ajo na jep mundësinë të fitojmë njëfarë kontrolli mbi jetën tonë. Dhe ndihmon për të parandaluar krijimin e një kohe “boshe”, që mund t’ju bëjë shumë të shqetësuar mbi karantinën.
Kjo e fundit, mund t’i bëjë njerëzit të ndjehen të mbyllur në vetvete dhe apatikë, të flenë keq natën, dhe të lënë pas dore higjenën e tyre personale. Një rast ekstrem nga bota e mbijetesës, tregon përfitimet e strukturimit të sjelljes vetjake, kur përballemi befas me kohën që duhet mbushur.
Në vitin 1915, kur anija e eksploruesit britanik Sër Ernest Shakëllton “Endurance”, u bllokua në akullin e Antarktikut, ai caktoi rutina të rrepta për ekuipazhin e tij. Ai ishte në dijeni të një anije ekspedite të mëparshme “RV Belgica”, që ishte bllokuar gjatë dimrit në akullin e Antarktikut në vitin 1898.
Kapiteni i asaj ekspedite nuk vendosi asnjë rutinë, dhe si rezultat ekuipazhi vuajti nga një moral i ulët, veçanërisht pas ngordhjes së maces që kishin marrë me vete, Nansen.
Shakëllton këmbënguli në respektimin e orareve të ngrënies, dhe urdhëroi që të gjithë të mblidheshin pas darkës për të pasur një periudhë të detyruar shoqërizimi me njëri-tjerin. Këto aktivitete të planifikuara, parandaluan një monotoni sociale që mund të ndodhë kur një grup i vogël njerëzish izolohen bashkë për periudha të gjata.
Një tjetër shkak jo fizik i lodhjes është ankthi. Pandemia i ka bërë njerëzit të çoroditur dhe të pasigurtë. Këto ndjenja mund të shkaktojnë një gjumë me probleme, që nga ana tjetër mund t’i bëjë njerëzit më të lodhur dhe të shqetësuar. Për të prishur këtë cikël, janë të nevojshme ushtrimet fizike.
Dalja për shëtitje ose ushtrimi fizik në shtëpi përmes modeleve që gjenden lehtësisht në internet, mund t’iu bëjë të ndjeheni të lodhur fizikisht, por në një periudhë afatgjatë do të zvogëlojë ndjenjat e lodhjes, dhe do të përmirësojë cilësinë e gjumit.
Planifikimi dhe caktimi i qëllimeve për të ardhmen, është sa i mundur aq dhe i nevojshëm. Synoni një datë të caktuar të ardhshme kur ju e mendoni se mund të përfundojë nga karantina.
Të qenit optimist për të ardhmen, dhe të pasurit e një liste me gjëra për të bërë, mund të ndihmojë gjithashtu në reduktimin e ankthit dhe zvogëlimin e lodhjes fizike. /TIRANA TODAY