Policia e Shtetit ka goditur katër raste ndërtimesh pa leje në Kukës dhe Tropojë, disa prej të cilave në zona të mbrojtura, duke arrestuar një person ndërsa ka nisur procedime penale ndaj tre të tjerëve.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në terren, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë kanë arrestuar shtetasin R. Gj., banues në fshatin Llugaj, i cili po ndërtonte 8 objekte pa leje.
Gjithashtu, për dy shtetasit A. Zh. dhe B. C., banues në fshatin Bytyçë, të cilët kanë ndërtuar në bjeshkët e Sylbicës, një zonë e mbrojtur, nisi procedim në gjendje të lirë.
Një tjetër person, M. N., po ashtu nga Bytyça, është shpallur në kërkim për kryerje të punimeve pa leje në të njetën zonë.
Njoftimi i policisë
“Strukturat e DVP Kukës, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në terren, për ndërtimet pa leje, kanë evidentuar dhe goditur 4 raste të kësaj paligjshmërie.
Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë:
-arrestuan shtetasin R. Gj., banues në fshatin Llugaj, pasi po ndërtonte 8 objekte, pa leje nga organet kompetente;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Zh. dhe B. C., të dy banues në fshatin Bytyçë, pasi kanë ndërtuar objekte në bjeshkët e Sylbicës (zonë e mbrojtur), pa leje nga organet kompetente;
-shpallën në kërkim shtetasin M. N., banues në fshatin Bytyçë, pasi po kryente punime ndërtimi, në bjeshkët e Sylbicës (zonë e mbrojtur), pa leje nga organet kompetente”, thuhet në njoftim.















