Ka ndërruar jetë në spital djali 25-vjeçar që u hodh nga kati i tretë i pallatit pas sherrit me prindërit e tij. Viktima është me iniciale B.S., thotë policia. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës rreth orës 22:05 në rrugën “Nasi Pablo” në Tiranë.
Pas një konflikti në familje, i riu kishte qëlluar me thikë babain e tij me iniciale E.S. 60 vjeç dhe të ëmën A.S. 54 vjeç. Prindërit mbetën të plagosur dhe u dërguan në spital ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Pasi i dëmtoi me thikë, 25-vjeçari u hodh nga kati i tretë i pallatit ku banonte.
Fillimisht ai u dërgua i plagosur në spital në gjendje të rëndë dhe ndërroi jetë mëngjesin e sotëm. Policia e Tiranës ka nisur hetimet për të zbardhur motivet e kësaj ngjarje.
Krim në familje, i riu plagos babanë e nënën. Tenton të vetëvritet
Një krim i rëndë në familje me pasojë 3 të plagosur ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, në Tiranë.
Një i ri ka plagosur me thikë babanë e nënën dhe më pas është hedhur nga kati i 3-të i banesës.
Sipas policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 22:00 në rrugën “Nasi Pablo”.
25-vjeçari B. S. aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në QSUT. Nën kujdesin e mjekëve janë edhe babai i tij, E. S., rreth 60 vjeç si dhe e ëma A. S., rreth 53 vjeçe. Sipas hetimeve paraprake, gjithçka ka nisur pas një grindjeje mes të riut dhe të atit.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes.