Mungesa e një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë ka bërë që ndërkombëtarët të kthejnë sytë nga “kriza politike” në vend.
Sipas Top Channel, në datat 28-30 tetor do të vijnë dy raportues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Bëhet fjalë për Andrej Hunko nga Gjermania dhe irlandezin Joseph O’Reilly.
Ata do të jenë të përqëndruar për të zbutur distancat mes qeverisë dhe grupeve opozitare brenda dhe jashtë parlamentit, në mënyrë që të kalohet ngërçi politik. Gjithashtu, në agjendën e tyre të bisedimeve do të jenë reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit.
Ata do të zhvillojnë takime me kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Parlamentit, Gramoz Ruçi, kryetarët e partive parlamentare dhe jo parlamentare dhe shoqërinë civile.