Është përcjellë sot për në banesën e fundit ish-zëvendëskryeministri Bashkim Kopliku, i cili ndërroi jetë një ditë më parë, pasi ishte infektuar me Covid-19.
Ceremonia e tij është shoqëruar me akuza të rënda, ku bashkëshortja e të ndjerit Luljeta Kopliku rrëfeu se mjeti i fluturimit ishte vonuar për të mbërritur në Rinas nga Turqia, ndërsa shton se dhe ambulanca kishte ardhur me vonesë në spitalin e Durrësit, ku ai po kurohej.
Sipas Luljetës, gjendja e 77-vjeçarit ishte e qëndrueshme, por për shkak se Covid i kishte prekur mushkëritë, kishte nevojë për oksigjen.
Teksa rrëfen më tej ngjarjen, gruaja e Koplikut pohoi se ambulanca që e kishte transportuar drejt Rinasit (në orën 16:00) nuk kishte pasur mjaftueshëm oksigjen. Fjalët e fundit që Bashkim Kopliku ka shkëmbye me të shoqen, ishin:- “Nuk ngopem dot me oksigjen”.
Ndërkohë, që vetëm pas 30 minutash nisje për në Rinas, ajo ishte njoftuar nga personeli i avionit se Bashkim Kopliku kishte ndërruar jetë, ende pa hipur në bordin e mjetit fluturues.