Në Kongresin e Partisë Socialiste, ministrja e Turizimit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka folur për ligjin për qeset plastike. Në muajin mars të këtij viti, Kuvendi kaloi me 80 vota projektligjin, i cili ndalon përdorimin e qeseve plastike. Me 80 vota pro, 26 kundër dhe 2 abstenim, Kuvendi miratoi projektligjin, i cili parashikon ndalimin e përdorimit të qeseve plastike në Shqipëri.
Sipas këtij akti, ndalimi final i prodhimit apo hedhjes në treg të qeseve plastike është 1 qershori i këtij viti, ku pas kësaj date, parashikohet ndalimi total i përdorimit të qeseve plastike duke u bërë vendi i parë në Europë që ndërmerr një veprim të tille.
Në lidhje me këtë çështje, Kumbaro theksoi se gjobat për shkelësit do të rriten.
Ministrja u shpreh se ka ardhur koha që t’i kthehemi zakonit të vjetër të çantave për të bërë blerje.
“Në 17 mars miratuam ligjin që ndalon prodhimin, tregtimin e importin e qeseve plastike, se na rezulton që është ndotësi kryesor i ujërave e lumenjve. Duhet t’i kthehemi patjetër e këtë e kemi shumë seriozisht se jemi të vendosur t’i qepemi e mos i ndahemi, t’i kthehemi zakonit të torbave prej cope, rrjetave me të cilat ishim mësuar kur nuk e dinim që kishte qese. Do e ndjekim me masa e sanksione, se nga sondazhi i fundit i Këshillimit Kombëtar 77% e të pyeturve kërkojnë rritjen e sanksioneve e ndëshkimeve e gjobave për ndotësit në mjedis.
Ndotja nuk është thjesht gabim, por krim mjedisor. Do i rrisim gjobat, por do jemi të qendrueshëm deri sa të mos lëmë asnjë cep të Shqipërisë për të cilën krenoheni e zihemi në FB ta kemi të pastër, si kemi shtëpitë tona brenda derës sonë”, deklaroi ministrja.