Gjyqtari në Gjykatën e Tiranës, Martin Deda ka ndërruar jetë. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur Kreu i Task Forcës dhe njëherësh Kryeinspektori i Përgjithshëm i Republikës, Shkëlqim Hajdari përmes një postimi në rrjetet sociale.
Teksa kujton gjyqet e bëra me të, Hajdari shprehet se Deda ishte njeri me integritet të lartë moral e profesional dhe korrekt me ligjin.
Sipas tij, çdo person që është gjykuar nga Martin Deda, gjatë karrierës së tij 30 vjeçare, ka marrë drejtësi.
Hajdari thotë se ndarja nga jeta e Dedës, ishte një humbje e madhe për familjen, por edhe për drejtësinë.
Postimi i Hajdarit në rrjetin social, Facebook
Martin Deda, gjygjtar në Gjykatën e Tiranës, ka ndërruar jetë!
Kam bërë me dhjetëra gjygje me të, kur isha Prokuror në Prokurorinë e Tiranës (2002-2007). Ky burrë ishte njeri me integritet të lartë moral e profesional, i drejtë, i ndershëm, i paanshëm, korrekt me ligjin.
Por ishte dhe fisnik, fjalëpakë, shok, mik e familjar i shkëlqyer.
Besoj se çdo person, që është gjykuar nga Martin Deda, gjatë karrierës së tij 30 vjeçare, ka marrë drejtësi. Sidomos njerëz që akuzoheshin për vepra penale të lehta, që rrethanat e jetës i kishin detyruar t’i kryenin, ky njeri ishte i mëshirshëm dhe jepte dënime në minimum të parashikimit të ligjit. Këtë e bënte pa asnjë ndërhyrje, miqësie apo përfitimi.
Hymbje e madhe për familjen, për drejtësinë që pak burra të tillë i kanë mbetur dhe për miqtë e tij të shumtë.
Qofsh për në parajsën e Zotit, o njeri i bardhë e fisnik, mik i shkëlqyer.