“Mutacion i dyfishtë”/ Një variant i ri i Covid -19 zbulohet në Indi

India ka zbuluar një “variant të dyfishtë mutant” të koronavirusit në 206 mostra në shtetin perëndimor të Maharashtra, tha një zyrtar i lartë i qeverisë.

Varianti i ri u zbulua në nëntë mostra në kryeqytetin New Delhi, tha drejtori i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Sëmundjeve, Sujeet Kumar Singh, në një konferencë shtypi, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters.

“Megjithëse në Indi janë gjetur variante shqetësimi dhe një variant i ri mutant i dyfishtë, këto nuk janë zbuluar në numër të mjaftueshëm për të krijuar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë ose për të shpjeguar rritjen e shpejtë të rasteve në disa shtete”, tha ministria e shëndetësisë në një deklaratë.

Ndërkohë, virologu indian, Shahid Jameel, shpjegon se mutacioni i dyfishtë është kur dy variante të ndryshme bashkohen në të njëjtin virus.

“Një mutacion i dyfishtë në zonat kryesore të proteinës “spike” të virusit mund të rrisë këto rreziqe dhe lejon virusin që t’i shpëtojë sistemit imunitar duke e bërë atë më tepër infektues”, u shpreh Shahid Jameel, virolog në Indi.

Me mbi shumë se 11.7 milion raste dhe 160,000 vdekje, në Indi vazhdojnë kërkimet për të identifikuar mutacionet.

Rritja e infektimeve, e cila filloi këtë muaj, vjen gjatë asaj që disa ekspertë e kanë quajtur një “fazë delikate” për Indinë, sistemi i kujdesit shëndetësor tashmë është i lodhur nga një betejë njëvjeçare kundër koronavirusit.