Një nga themeluesit e Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj e cilëson Lulzim Bashën njërin nga dështimet më të mëdha të kësaj force politike. Ai e konsideron politikën e ndjekur nga kreu aktual i kësaj force politike krejtësisht të papjekur duke përjashtuar figurat që ishin pjesë e themelimit të Partisë Demokratike.
Duke folur në rubrikën “Opinion”, në Neës 24, për ditën e 8 dhjetorit të vitit 1991, Mustafaj vuri në dukje se ato që aspironin studentët e asaj kohe nuk janë arritur. Ndërsa askush nuk e besonte se Shqipëria nuk do të ishte anëtare e BE-së pas kaq vitesh demokraci.
“Por askush nga ne qe kemi qenë aty, nuk do besonte se 27 vite më vonë, Shqipëria nuk do ishte në BE dhe sot do ishte një dele e zezë sa i përket krimit dhe drogës. Askush nga ne nuk do e kishte besuar se sot droga dhe krimi do ishin një problem. Ëndrra e studenteve është ende larg që Shqipëria të jetë si gjithë Evropa”– tha Mustafaj.
Ai shtoi se ka një reflektim mbi ato që ndodhën në atë kohë duke e parë atë periudhë më me racionalitet.
“Ka një reflektim për ne veteranët e asaj kohe dhe ne e kemi emocionale më shumë. Ne jemi një brez që e jetuam atë kohë dhe do thosha se aspiratat e Rinisë janë realizuar deri diku, por jo plotësisht. Ne kemi parametra demokratikë dhe jemi në proces integrimi”, u shpreh Mustafaj.