Kryesore

Mungojnë 5 votat në KQZ për dhënien e mandateve, ja strategjia e PS-së për të zgjidhur ngërçin


               Publikuar në : 11:57 - 14/07/19 user tir

Partia Socialiste ka nisur betejën ligjore për të marrë nga Gjykata mandatet e përfituara nga zgjedhjet e 30 qershorit. Vota kundër në çdo vendimmarrje e kreut të KQZ-së, Klement Zguri, ka pamundësuar dhënien e mandateve për këshillat bashkiakë nga ky institucion, pasi vendimi duhet të merret me një shumicë prej 5 anëtarësh. Në këto kushte, PS ka vendosur të ndjekë rrugën ligjore, duke i kërkuar Kolegjit Zgjedhor dhënien e mandateve të këshilltarëve bashkiakë në 20 bashkitë e para.

Anëtari i PS në tryezën e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Bledar Skënderi, ka theksuar se do të jetë pikërisht Kolegji Zgjedhor, organi që do të japë mandatet.

“KQZ, më datë 10 korrik, kaloi në mbledhje shpërndarjen e mandateve për 20 bashkitë e para. Për shkak se ky është një vendim që në bazë të nenit 24 të Kodit Zgjedhor, nuk u mor. Për këtë fakt, një nga subjektet që merr pjesë në zgjedhje, PS, ka bërë padi në kolegj, që më pas Kolegji Zgjedhor të bëjë shpërndarjen e mandateve”, deklaron Skenderaj në një prononcim për “Top Channel”.

Anëtari socialist i KQZ-së ka sjellë në vëmendje edhe rastin e ngjashëm të ndodhur në vitin 2013, kur ishte Kolegji Zgjedhor ai që dha mandatet për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm të votave në KQZ.

“Është një procedurë që është ndjekur edhe në vitin 2013-ë, kur KQZ ka pasur vetëm katër anëtarë dhe për shkak se nuk bëhej kuorumi për të arritur një vendimmarrje, Kolegji ka shpërndarë mandatet për të gjithë deputetët e Shqipërisë. Në rastin konkret jemi në zgjedhjet lokale, por është sërish e njëjta procedurë”, sqaron Skënderi. Ndërkohë, Gjykata e Elbasanit ka vendosur të japë mandatet për kryebashkiakun e ri të Elbasanit, Gledian Llatja, dhe kryebashkiakun e Librazhdit, Kastriot Gurra. Partia Demokratike ka deklaruar se nuk e njeh procesin zgjedhor të 30 qershorit dhe u ka bërë thirrje gjykatave të mos japin mandate të paligjshme. Në fund të muajit korrik, KQZ pritet të shpallë zyrtarisht rezultatin për 30 qershorin, ndërkohë që kryebashkiakët e djathtë kanë kërcënuar se nuk do të lëshojnë zyrat. /Panorama

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT