Kryetari i PD-së Lulzim Basha në një postim në rrjetin social Facebook shkruan ndër të tjera se bujqësia shqiptare ka shtatë vjet që është në krizë të thellë.
“Në Lekaj, takova fermerë që mundohen me mish e me shpirt, punojnë në kushte tejet të vështira, e me borxhe për të siguruar të paktën ushqimin për familjet e tyre. Fermerët luftojnë me mbijetesën”, pohon kreu i opozitës.
Basha deklaron se mashtrimet e kryeministrit Edi Rama po e çojnë ekonominë në krizë të thellë dhe vendin drejt kolapsit.
Reagimi i plotë i tij: “Bujqësia shqiptare ka shtatë vjet në krizë të thellë.
Mungesa e subvensioneve, rritja e çmimit të naftës, favorizimi i produkteve të importit e ka çuar në kolaps këtë sektor. Fermerët luftojnë me mbijetesën.
Kësaj situate të vështirë i është shtuar dhe mungesa e mbështetjes në situatën e pandemisë duke e bërë gjendjen kritike.
Në Lekaj, takova fermerë që mundohen me mish e me shpirt, punojnë në kushte tejet të vështira, e me borxhe për të siguruar të paktën ushqimin për familjet e tyre.
Situata e vështirë në Lekaj e kudo nuk fshihet pas ngjyrave të propagandës.
Edi Rama nuk mund ta fshehë përgjegjësinë dhe dështimin e tij në çdo sektor që sot ndodhet në ditën më të keqe.
Dështimet, zhvatjet dhe mashtrimet e Edi Ramës po e çojnë ekonominë në krizë të thellë dhe vendin drejt kolapsit”.