Në Konferencën për “Sistemin e kontrollit të brendshëm në mirëmenaxhimin e financave publike”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi sot se askush nuk është i paprekshëm kur abuzon me fondet dhe taksat e qytetarëve. Veliaj i ka përcjellë një mesazh Armand Dukës, duke ia bërë të qartë se është i pavaruar, por jo i paprekshëm.
“Pavarësia dhe paprekshmëria janë dy gjëra të ndryshme; mund të jesh i pavarur, por nuk je i paprekshëm. Dhe meqë FIFA dhe UEFA janë në Zvicër, leksioni më i madh në fakt na vjen nga Zvicra, ku fakti që ruhet sekreti bankar, të dhënat personale, që respekton të drejtat e njeriut, nuk nënkupton se njerëzit janë të paprekshëm, qofshin këta edhe vipat e futbollit”.
“Ti mund të jesh futbollist i shkëlqyer si Platini, por Zvicra nuk të jep imunitet. Zvicra të ndjek, të auditon, të kërkon llogari dhe ti nuk je i paprekshëm. Sepp Blatter ishte mbreti i futbollit, por të qënit në Zvicër nuk i dha askujt imunitet. Në momentin që ti dështon në proceset e auditit, të transparencës, atëherë as në Zvicër, që është sot modeli i ruajtjes së pavarësisë dhe privatësisë, nuk shpëton dot”, theksoi Veliaj.
Velaij solli në fokus faktin se askush nuk ka imunitet para drejtësisë. “Fakti që ka ministra dhe ish-ministra në paraburgim, dhe do të përballen me drejtësinë, do të thotë që s’kanë imunitet”.
“Fakti që ka zyrtarë të të gjitha niveleve, do të thotë se në Shqipëri është bërë një pakt me drejtësinë. Auditi i Bashkisë së Tiranës, i brendshëm, është më i rreptë se KLSH-ja, do të thotë se e kemi rritur ‘piacën’ në çdo segment të shoqërisë. Nuk mund të kemi ishuj apo enklava të pavarura. I pavarur mund të jesh, por jo i paprekshëm”, theksoi Veliaj.