Babai i Alvinit, Afrim Berisha, ka rrëfyer disa detaje pasi djali i tij 11-vjeçar mbërriti në shtëpi. Pasi u shpëtua nga kampi i ferrit në Siri, për djalin nis një jetë e re, e ndërsa tashmë ndodhet pranë familjarëve të tij më të shtrenjtë.
Afrim Berisha ka treguar se i biri e thërret baba, e ndërsa ia ka ruajtur të gjithë lodrat me kujdes pas ditës që ai iku.
“Di pak shqip, por mirë. Mua më njohu. Më thërret baba. Bën çdo gjë që i themi pa kundërshtuar, si një ushtar i vogël. I themi hajde të hamë bukë, ngrihet menjëherë. Si çdo fëmijë tjetër do të luajë me kompjuter. Madje ka kërkuar edhe biçikletën. Më kërkoi biçikletën, dhe i tregova që e kishte në garazh. Që ditën kur iku, unë të gjithë lodrat e tij i kam ruajtur atje”.
Po ashtu i ati i djaloshit ka treguar se i kanë thënë që mos ta pyesin për ditët e vështira që ka kaluar në Siri. Ai tha më tej se doktoresha e ka sugjeruar që të mos e ngacmojnë, për ti rikthyer kujtimet. Jeta e tij nuk ka qenë aspak e lehtë, e ndërsa në ditët në vijim do të kryjë analizat mjekësore.
“Doktoresha na ka sugjeruar që të mos e ngacmojmë, për të treguar për jetën atje. Falenderoj policinë italiane, e cila prej 5 vitesh heton rastin tim. Falenderoj dhe shtetin italian dhe shqiptar, dhe ambasadoren në Romë që më është gjendur. Të hënën do të shkojmë për të bërë analizat mjekësore, dhe do të kujdesemi për këmbën”.
Alvini arriti të shpëtonte nga kampi Al Hole në Siri, falë një operacioni ndërkombëtar.