Mpiksje të rrallë gjaku/ EMA jep paralajmërimin për vaksinën Johnson & Johnson

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha se vaksinës Johnson&Johnson kundër koronavirusit duhet t’i shtohet paralajmërimi për “mpiksje shumë të rrallë të gjakut”.

Rregullatori evropian i barnave deklaroi se ekziston një lidhje e mundshme midis vaksinës dhe mpiksjeve të pazakonshme të gjakut, të raportuara te disa njerëz, pas vaksinimit, shktuan The Guardian.

SHBA-ja ka administruar mbi shtatë milionë doza të vaksinës Johnson&Johnson, përpara se ta pezullonte përdorimin e saj, rreth dy javë më parë.

Është raportuar se tetë rastet ku është shfaqur mpiksja e gjakut, kanë qenë gra të moshës 18 deri në 48 vjeç. Një prej tyre ka vdekur.

Kjo vaksinë kundër koronavirusit, ndryshe nga të tjerat që janë prodhuar në Perëndim, jepet në një dozë të vetme. Atë e prodhon firma belge Janssen dhe efektiviteti i saj thuhet se arrin në 66 për qind.